Katër të vrarë në një kishë mormone në Michigan

29 shtator 2025 | 08:30

Të paktën katër persona janë vrarë dhe tetë të tjerë janë plagosur pas një sulmi të armatosur në një kishë në Michigan, njoftoi policia.

Ngjarja ndodhi të dielën në mëngjes, në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme në qytetin Grand Blanc, rreth 100 kilometra në veriperëndim të Detroitit. Gjatë shërbesës fetare, ku ishin të pranishëm qindra besimtarë, një person i armatosur drejtoi makinën drejt ndërtesës, hyri brenda, hapi zjarr dhe më pas i vuri flakën kishës.

Sulmuesi, i identifikuar si Thomas Jacob Sanford, 40 vjeç nga Burton, Michigan, u përball me policinë në parkingun e kishës dhe u vra në një shkëmbim zjarri vetëm tetë minuta pas fillimit të sulmit.

Sipas shefit të policisë së Grand Blanc Township, William Renye, dy nga viktimat vdiqën nga plagët me armë zjarri në vendngjarje, ndërsa dy trupa të tjerë u gjetën më vonë në zonën e kishës, e cila kishte pësuar dëme të mëdha nga zjarri.

Zjarri besohet se është shkaktuar nga një përshpejtues, me shumë mundësi benzinë, që është përdorur nga sulmuesi.

Motivi i sulmit mbetet ende i paqartë. Autoritetet janë duke hetuar telefonin e sulmuesit, shtëpinë e tij dhe të kaluarën e tij. Deri tani, është konfirmuar se Sanford ishte një veteran i Korpusit të Marinës Amerikane, sipas CBS.

Hetimin po e udhëheq FBI-ja, e cila ka dërguar në vendngjarje ekipe të specializuara, përfshirë ekspertë të bombave dhe reagimit ndaj krizave.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Milani ka shënuar fitore të madhe në derbi ndaj Napolit…