Katër vëllezërit Kida, sot festojnë 25-vjetorin e rilindjes

29 qershor 2025 | 17:17

Genci, Nexhdeti, Shabani dhe Shkëlzeni – katër vëllezër nga Cermjani i Gjakovës – sot përkujtojnë 25-vjetorin e lirimit nga burgjet serbe, të cilin e quajnë “ditëlindjen e dytë”.

Më 24 gusht 1998, gjatë luftës në Kosovë, ata së bashku me djemtë e axhës së tyre, Avdiun dhe Naimin, u arrestuan nga forcat serbe dhe u dërguan në burgjet famëkeqe të Serbisë. Të gjithë ishin pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe përjetuan tortura të rënda në paraburgimet dhe burgjet serbe deri më 29 qershor 2000, kur u liruan.

Një nga bashkëvuajtësit e tyre, Sadik Zeqiri – i mbijetuar i Masakrës së Dubravës – kujton ditët e tmerrit:

“Unë u arrestova një ditë më pas, më 25 gusht 1998, dhe kur më dërguan në policinë e Gjakovës, dëgjoja britmat e tyre teksa rriheshin barbarisht nga forcat serbe në zyrat e UDB-së. Ato rrahje nuk pushuan as në burgun e Dubravës. Ishin të izoluar në katin e parë, pavijoni C, ku rriheshin çdo ditë, tri herë në ditë. Pa asnjë dyshim, ata ishin ndër më të keqtrajtuarit në atë burg.”

Për rreth tre muaj në Dubravë, katër vëllezërit përballuan tortura sistematike, deri sa shpëtuan për mrekulli nga Masakra e Dubravës, e ndodhur më 19-24 maj 1999, ku u vranë mbi 100 të burgosur shqiptarë.

Pas kësaj, ata u transferuan në burgjet e Lipjanit, Pozharevcit, Sremit dhe Nishit, ku qëndruan deri në lirimin e tyre në fund të qershorit 2000. Sot, 25 vjet më vonë, katër vëllezërit Kida kanë ndërtuar jetët e tyre. Disa prej tyre jetojnë në Kosovë, ndërsa të tjerët kanë emigruar jashtë vendit. Por kjo ditë – 29 qershori – mbetet një datë e shenjtë për ta dhe familjet e tyre si dita kur rilindën.

(Shkruar nga Sadik Zeqiri, i mbijetuar i Masakrës së Dubravës dhe ish-i burgosur politik)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka bërë të ditur se gjatë…