Katie Ledecky vazhdon të shkruajë histori, fiton medaljen e 22-të të artë në Botëror

29 korrik 2025 | 15:42

Në Kampionatin Botëror të notit, që po mbahet në Singapor, Katie Ledecky ka shtuar edhe një faqe të artë në legjendën e saj. Notarja amerikane 28-vjeçare ka fituar medaljen e saj të 22-të të artë në këtë garë ndërkombëtare, duke dominuar në garën e 1.500 metrave në stil të lirë, distancë në të cilën ajo mban të 25 kohët më të mira të të gjitha kohërave.

E sfiduar fillimisht nga australiania Lani Pallister, Ledecky arriti të notonte madje tri sekonda nën rekordin botëror, por në fund u ndal në kohën 15:16.44, që gjithsesi është koha e pestë më e mirë në histori, gjithashtu e saj. Përmasat e dominimit të saj janë mbresëlënëse; në këtë distancë ajo duket se garon në një epokë tjetër. Pas kësaj fitoreje, Ledecky do të përgatitet për sfidën e radhës në 800 metra, ku e pret një përballje interesante me ‘yllin kanadez’ Summer McIntosh.

Ndërkohë, David Popovic shkëlqeu në finalen e 200 metrave stil i lirë, duke përmbysur amerikanin Luke Hobson në metrat e fundit me një kthesë fantastike (26.43 sekonda). Rumuni fitoi me kohën 1:43.53, një nga dhjetë më të mirat në histori dhe e pesta për të personalisht. Hobson (1:43.84) dhe japonezi Tatsuya Murasa (1:44.54) e plotësuan podiumin. Në garën e 100 metrave shpinë për femra, australiania Kaylee McKeown triumfoi sërish ndaj rivales së përhershme Regan Smith, me kohën 57.16 sekonda, vetëm tri të qindtat larg rekordit botëror.

Ishte fitorja e gjashtë me radhë ndaj Smith në garat e mëdha që nga viti 2023, duke e konsoliduar McKeown si notaren më të mirë të historisë në këtë stil. Tek meshkujt, triumfoi Pieter Coetze nga Afrika e Jugut me kohën 51.85, duke lënë pas italianin Thomas Ceccon dhe francezin Yohan Ndoye në një garë tepër të ngushtë. Ndërkohë, surpriza e ditës erdhi nga Anna Elendt, që fitoi 100 metra bretkosë për femra me kohën 1:05.19, duke lënë pas amerikanen Kate Douglass dhe kinezen Tang.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Disa i kanë nënshkruar kontratat për furnizim me energji elektrike,…