
Kauza e protestës dhe transformimi i saj i rrezikshëm
Shkruan: Hisen Berisha
Kategoritë më sublime dhe me të drejtën morale e historike për të qëndruar në mbrojtje të vlerave të shtetit janë pikërisht ato që dolën nga lufta: veteranët, familjet e dëshmorëve, invalidët e luftës dhe të gjithë ata që sakrifikuan për lirinë e Kosovës. Por këto kategori nuk duhet të mbesin të vetme në këtë betejë — mbështetja për to duhet të vijë nga të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.
Ideja për të organizuar një protestë nga këto kategori ishte e drejtë dhe e natyrshme. Kërkesat fillestare ishin legjitime dhe përfaqësonin interesin kolektiv:
1. Konstituimi i institucioneve të Kosovës, për të tejkaluar gjendjen e jokushtetutshmërisë dhe krizën e legjitimitetit që po pengon funksionimin normal të shtetit.
2. Mbështetja për ata që ndodhen në Hagë, duke siguruar mbështetje financiare dhe mbrojtje të drejtë, si dhe duke amandamentuar ligjin mbi funksionimin e Dhomave të Specializuara, në mënyrë që të mos përdoren dëshmi të fabrikuara nga shërbimet sekrete serbe dhe prokuroritë serbo-ruse.
3. Trajtim dinjitoz për kategoritë e dala nga lufta, sidomos për veteranët, duke i përfshirë në ligjin për pagën minimale dhe përmes miratimit të ligjit për mbrojtjen e vlerave të luftës.
Por ajo që ndodhi gjatë procesit të përgatitjes së kësaj proteste dhe gjatë rrugëtimit të saj të shkurtër, është një transformim i thellë dhe i dëmshëm i kauzës. Kërkesat e shumta dhe të rëndësishme u shndërruan në një të vetme: protestë kundër Dhomave të Specializuara në Hagë.
Unë jam dakord se këto dhoma i janë mbivendosur vetë krijuesit të tyre ligjorë — Kuvendit, dhe se baza ligjore mbi të cilën ato funksionojnë është e dëmshme dhe i është mbivendosur sistemit tonë të drejtësisë. Pranimi i dëshmive nga burime të kontaminuara, si shërbimet sekrete serbe apo prokuroritë serbe dhe ruse, përbën një shkelje të drejtësisë dhe një sulm ndaj sovranitetit tonë.
Por transformimi i kërkesave të protestës — vetëm në protestë kundër këtyre dhomave — është njëkohësisht protestë kundër vetë Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe qeverive që e kanë miratuar këtë mekanizëm.
Duhet ta pranojmë se njerëzit që sot ndodhen në Hagë janë figura kyçe të historisë politike dhe ushtarake të Kosovës, por ata janë gjithashtu edhe ata që kanë marrë pjesë aktive dhe kanë udhëhequr institucionet dhe proceset për themelimin e këtyre dhomave. Pavarësisht kësaj, akti për të përballuar pretendimet monstruoze të raportit të Dick Marty-t, që më pas u bë raport zyrtar i Këshillit të Evropës – ishte një përballje me një padrejtësi të madhe ndërkombëtare. Ky raport akuzonte Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës për “trafikim organesh” – një akuzë monstruoze, pa fakte, që synonte të njolloste luftën tonë çlirimtare dhe tërë lëvizjen tonë kombëtare si “Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale”.
Por tani, kur të gjithë ne duhej të mobilizoheshim për të mbrojtur drejtësinë dhe për të përkrahur ata që janë duke u përballur me këto akuza në mënyrë dinjitoze, kauza është transformuar. Dhe kjo nuk është një transformim i rastësishëm, por një manipulim i qëllimshëm. Unë besoj se këtu ka ndikuar drejtpërdrejt kryeministri aktual në detyrë me kabinetarët e tij, të cilët, me nostalgjinë e tyre jugosllave, kanë qenë gjithmonë kundërshtarë të ashpër të luftës çlirimtare dhe të udhëheqësve të saj.
Ky transformim synon ta kanalizojë energjinë popullore dhe zërin e protestës jo në frymën e kërkesave fillestare që i dhanë asaj legjitimitet ndaj padrejtësisë ndërkombëtare, por pikërisht kundër atyre që ishin pjesë e themelimit të shtetit të Kosovës dhe që po përballen me pretendimet për të degraduar vlerat e luftës, lirisë dhe pavarësisë. Kjo është një përpjekje për të shfokusuar opinionin publik nga mosveprimi i qeverisë në mbështetje të të mbajturve në Hagë, për ta zhvendosur zemërimin e njerëzve ndaj themeluesve të këtyre dhomave.
Akuzohen deputetët për votimin e Dhomave Speciale, por askush nuk merr guximin të flasë për aktakuzat që janë ndërtuar mbi dëshmi kundër UÇK-së në Kosovë dhe diasporë – për motive banale si përfitimi i azilit të rrejshëm, apo, edhe më keq, për eliminime politike të figurave të mëdha të shtetndërtimit. Mbi 50 mijë dosje kundër UÇK-së, ndërkohë që ndaj Serbisë vetëm një numër simbolik.
Kjo nuk është më kauza e fillimit. Nuk është më kauza e mbrojtjes së vlerave të luftës, por një kauzë e manipuluar për qëllime politike afatshkurtra. Dhe si e tillë, kjo protestë, në formën e saj aktuale, është në dëm të interesit strategjik dhe objektivave fillestare që i dhanë asaj legjitimitet.
Qëndrimi publik i një pjese të shoqërisë civile kundër mbështetjes për mbrojtjen e të akuzuarve në Hagë e përforcon këtë zbrazëti morale. Në qershor 2015, 26 përfaqësues të njohur të shoqërisë civile dhe mediave në Kosovë, ndër ta Adriatik Kelmendi, Agon Vrenezi, Albert Heta, Arbana Xharra, Arben Ahmeti, Astrit Gashi, Bekim Blakaj, Besa Luzha, Dastid Pallaska, Edona Tola, Eroll Bilibani, Fisnik Korenica, Hajrulla Çeku, Igballe Rogova, Ilir Ibrahimi, Imer Mushkolaj, Ismet Kryeziu, Krenar Gashi, Linda Gucia, Luan Shllaku, Lumir Abdixhiku, Nita Luci, Petrit Zogaj, Shenoll Muharremi, Valdete Idrizi, Veton Mujaj dhe të tjerë, i kërkuan qeverisë që të mos financojë mbrojtjen e të akuzuarve nga Gjykata Speciale me paratë e taksapaguesve, me argumentin se kjo mbrojtje duhet të vijë nga donatorët ndërkombëtarë dhe jo nga shteti. Letra e hapur e tyre ishte titulluar: “Jo me taksat tona!”
Kurse pjesëmarrja masive është tregues dekurajues për strukturat e caktuara politike e civile — që kanë provuar dhe vazhdojnë të provojnë — degradimin e vlerave të luftës duke i etiketuar me epitete kriminalizuese.