
KB Bashkimi me njoftim për situatën e Wendell Greenit
Klubi i basketbollit, Bashkimi, të hënën në faqen zyrtare ka lëshuar një komunikatë lidhur me situatën e basketbollistit amerikan, Wendell Green Jr.
Wendell Green Jr. i mungoi Bashkimit të dielën në ndeshjen e tretë të serisë finale të plejofit të elitës së basketbollit të Kosovës ndaj Trepçës. Kampionia në fuqi, Trepça, triumfoi 88:71 ndaj Bashkimit në Prizren. “Xehetarët” tashmë kanë avantazh 2:1 në serinë finale.
Klubi nga Prizreni njoftoi se Wendell Green Jr. ka munguar për shkak të gripit dhe jo siç është spekuluar se 22-vjeçari ishte testuar për testin antidoping.
“Dëshirojmë të informojmë të gjithë tifozët dhe opinionin sportiv se në ndeshjen e djeshme, lojtari ynë Wendell Green nuk u paraqit për shkak të një gjendjeje shëndetësore jo të mirë nga gripi, e cila e pamundësoi pjesëmarrjen e tij në fushë. Gjithashtu, theksojmë se Wendell Green nuk është testuar asnjëherë për test antidoping, dhe çdo spekulim në këtë drejtim është i pabazë dhe i pavërtetë. Pas një rikuperimi të shpejtë, Wendell tashmë është mirë dhe do të jetë plotësisht i gatshëm për ndeshjen e radhës të mërkurën në Mitrovicë”, ka shkruar Bashkimi.