
KB Bashkimi pas dështimit në finale: Rikthehemi edhe më të fortë
KB Bashkim ka pasur një sezon të jashtëzakonshëm në elitën e basketbollit të Kosovës, por në fund nuk arriti të kurorëzohet me titullin e kampiones. Në finale skuadra nga Prizreni pësoi humbje me rezultat të përgjithshëm 4-2 nga Trepça.
Në postimin e gjatë të kësaj skuadre, thuhet se sezoni 2024/25 tashmë ka përfunduar dhe se ishte një udhëtim i mbushur me sfida, përpjekje, emocione dhe mbi të gjitha, me një bashkim të jashtëzakonshëm të të gjithë atyre që përbëjnë familjen Portokall e Zi.
“Edhe pse nuk arritëm të kurorëzojmë sezonin me trofe, nuk mungoi as përkushtimi, as zemra, dhe as përpjekja. Çdo hap i bërë këtë vit ka qenë pjesë e një ndërtimi që do të vazhdojë të rritet dhe të forcohet. Lojtarëve tanë, faleminderit për çdo betejë të fituar e të humbur, për çdo pikë djerse në fushë dhe për krenarinë me të cilën keni mbrojtur këto ngjyra. Stafit të trajnerëve, stafit teknik dhe mjekësor, mirënjohje për punën e palodhur, për profesionalizmin dhe kujdesin që keni treguar gjatë gjithë rrugëtimit”, thuhet në postimin e Bashkimit.
Ky klub ka falënderuar sponsorët për besimin dhe përkrahjen dhe falë tyre është bërë i mundur rrugëtimi i këtij klubi çdo sezon. Poashtu është falënderuar edhe Kuvendi Komunal dhe DKRS-ja, për mbështetjen e vazhdueshme dhe rolin e rëndësishëm në këtë rrugëtim. Ky klub synon të rikthehet edhe me i fortë në sezonin e ardhshëm.
“Dhe mbi të gjitha, tifozëve tanë, të flaktë – Arpagjikt, ju faleminderit që qëndruat pranë nesh – në fitore dhe në humbje. Jeni zemra e klubit tonë. Ju jeni lojtari ynë i 6-të! Ky sezon mbyllet, por rrugëtimi ynë vazhdon. Me kokën lart, me zemër të bashkuar dhe me një synim të qartë: të rikthehemi më të fortë. Faleminderit, Prizren!”, thuhet në postimi i Bashkimit.
/Epoka e re/