
KB Bora transferon Rron Ukajn
08 korrik 2025
| 12:51
Pas zyrtarizimit të trajnerit Lubomir Minchev, KB Bora ka bërë transferimin e parë për sezonin 2025/26. Rron Ukaj është përforcimi i parë i skuadrës nga kryeqyteti, që në sezonin e ri të Superligës së Kosovës në basketboll, do të futet me ambicie të mëdha.
Ukaj, që luan në pozitën e krah-qendrës, sezonin e shkuar ishte pjesë e skuadrës së Pejës, ku luajti me një mesatare prej 5 pikëve e 4 kërcimeve për ndeshje. Skuadra e Borës, sezonin e fundit debutoi në elitën e basketbollit kosovar dhe mbijetesën në Superligë e siguroi nëpërmjet ndeshjes së “play-out”-it. Në sezonin e rregullt të Superligës, Bora regjistroi 9 fitore karshi 19 humbjeve në 28 ndeshje të zhvilluara.