
KB Peja pas marrëveshjes me Berishën, zyrtarizon amerikanin Johnson
Vetëm një ditë pas rinovimit me kapitenin Dardan Berisha, KB Peja ka bërë një tjetër lëvizje të madhe në tregun e transferimeve duke zyrtarizuar afrimin e amerikanit Jordan Johnson.
“KB Peja njofton se ka arritur marrëveshje për transferimin e amerikanit Jordan Johnson (PG, 1.82m, 30 vjeç) për sezonin 2025/26”, thuhet në njoftimin e klubit pejan.
Johnson nuk është emër i panjohur për basketbollin kosovar, pasi gjatë sezonit 2019/20 ka qenë pjesë e elitës në vend, ku ka regjistruar mesatare prej 19.8 pikë, 3.3 kërcime dhe 6.5 asistime për ndeshje. Që atëherë, ai ka ndërtuar një karrierë të pasur ndërkombëtare duke luajtur në Holandë, Ukrainë, Gjermani, Britani të Madhe, Turqi dhe së fundmi në Sllovaki.
Në katër sezonet e fundit, Johnson ka mbajtur mesatare të qëndrueshme, me 15.8, 18.3, 15.6 dhe 13.6 pikë për ndeshje, gjithmonë duke kontribuar edhe me mbi 6 asistime për sfidë.
Ai do të ribashkohet në “Karagaçi” me Tajh Green, me të cilin ka luajtur më parë te Newcastle Eagles në Britani. Jordan Johnson ka filluar tashmë stërvitjet nën drejtimin e trajnerit Greg Gibson dhe është gati të japë kontributin e tij për sezonin e ri me ngjyrat verdh e zi.