
KB Ylli fillon përgatitjet për sezonin e ri
Pas Borës, Bashkimit e Pejës, edhe Golden Eagle Ylli ka nisur përgatitjet për sezonin 2025/26 në Superligën e Kosovës në basketboll. Ekipi nga Suhareka ka njoftuar se janë kthyer në palestër për t’u bërë gati për sezonin, në të cilin synojnë titullin e kampionit për shkak se festojnë 50 vjetorin e themelimit të klubit.
Mbi dhjetë basketbollistë janë paraqitur nën urdhrat e trajnerit nga Greqia, Fotis Takianos, i cili ende nuk e ka kompletuar ekipin, gjë që pritet ta bëjë gjatë kësaj jave.
Ylli, tashmë ka konfirmuar shtatë lojtarë për sezonin e ri, i cili nis muajin tjetër, ku pesë janë vendorë dhe dy të huaj. Gëzim Morina, Arian Qallaku, Artin Gashi, Lis Shoshi e Erjon Kastrati do ta bartin fanellën e Yllit, sikurse edhe Lovre Bashiq e Dwayne Cohill për sezonin 2025/26.