KBF Peja mëson kundërshtaret për debutimin historik në FIBA EuroCup Women

23 korrik 2025 | 16:16

Nënkampionia e Kosovës në basketbollin e femrave, KBF Peja, ka mësuar grupin e saj në FIBA EuroCup Women, garë në të cilën do të debutojë në edicionin 2025/26. Ky është një moment historik jo vetëm për klubin nga Peja, por edhe për basketbollin e femrave në Kosovë, duke shënuar një tjetër hap të madh drejt afirmimit në arenën ndërkombëtare.

Skuadra pejane do të jetë pjesë e Grupit F, ku tashmë janë konfirmuar tri kundërshtare, ndërsa emri i skuadrës së katërt do të përcaktohet pas ndeshjeve kualifikuese që zhvillohen në fund të muajit shtator. “Klubi ynë KBF Peja 03 do të jetë pjesë e Grupit F, ku do të garojë përkrah skuadrës çeke Levhartice BK Levharti Chomutov, ekipit gjerman Rutronik Stars Keltern dhe humbësit nga përballja mes Tango Bourges dhe Kibirkštis Vilnius – ku fituesi kalon në Euroligë, ndërsa humbësi vjen në grupin tonë. Një moment i veçantë për klubin dhe për basketbollin e femrave në Kosovë”, thuhet në reagimin e klubit.

Peja do të ketë rastin të përballet me emra të mëdhenj të basketbollit evropian, dhe çdo ndeshje do të jetë një përvojë e vlefshme për zhvillimin e mëtejmë të ekipit dhe të sportit në vend.

Me këtë pjesëmarrje, KBF Peja bëhet skuadra e dytë nga Kosova që merr pjesë në FIBA EuroCup Women, pas debutimit të Prishtinës vite më parë, duke dëshmuar progresin e vazhdueshëm të basketbollit të femrave në Kosovë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në miqësoren e parë verore, të zhvilluar në Singapor kundër…