
KDI: Basha shkeli procedurat, votimi për nënkryetarët nga komunitet duhet të bëhet në pako
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka reaguar lidhur me konstituimin e kuvendit, proces i cili ka mbetur tek zgjedhja e nënkryetarit nga radhët e komunitetit jo shumicë serbe. Nga KDI është thënë se votimi për nënkryetarët nga komunitetet jo-shumicë duhet të bëhet në pako.
Tutje, në komunikatë bëhet e ditur se KDI vlerëson se gjatë procesit të zgjedhjes së dy nënkryetarëve nga radhët e komuniteteve jo-shumicë ka pasur shkelje procedurale nga ana e Dimal Bashës, i cili është kryetari i ri i Kuvendit.
‘‘Aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese kanë përcaktuar se konstituimi i Kuvendi duhet të bëhet edhe në bazë të praktikave të deritanishme sipas të cilave pesë (5) nënkryetarët e Kuvendit janë votuar në dy pako të ndara. Fryma e Kushtetutës së Republikës së Kosovës (neni 67), Rregullores së Punës së Kuvendit (neni 12) dhe aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese nënvizon thelbësisht nevojën për konsensus dhe gjithpërfshirje gjatë votimit të kryetarit/es dhe nënkryetarëve’’, thuhet mes tjerash në reagimin e KDI-së.
Tutje, po ashtu deklarohet nga ana e KDI-së se devijimi nga kjo procedurë pengon zbatimin e obligimeve kushtetuese për garantimin e përfshirjes së komunitetit serb në institucionet e Republikës së Kosovës.
Komunikata:
𝐊𝐃𝐈: 𝐕𝐨𝐭𝐢𝐦𝐢 𝐩𝐞̈𝐫 𝐧𝐞̈𝐧𝐤𝐫𝐲𝐞𝐭𝐚𝐫𝐞̈𝐭 𝐧𝐠𝐚 𝐤𝐨𝐦𝐮𝐧𝐢𝐭𝐞𝐭𝐞𝐭 𝐣𝐨-𝐬𝐡𝐮𝐦𝐢𝐜𝐞̈ 𝐝𝐮𝐡𝐞𝐭 𝐭𝐞̈ 𝐛𝐞̈𝐡𝐞𝐭 𝐧𝐞̈ 𝐩𝐚𝐤𝐨
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) shpreh shqetësimin që as në përpjekjen e 59-të, Kuvendi i Republikës së Kosovës nuk arriti të përmbyllë procesin e konstituimit.
Megjithëse u zgjodh Kryetari i Kuvendit dhe tre nënkryetarë nga subjektet më të mëdha parlamentare, KDI vlerëson se gjatë procesit të zgjedhjes së dy nënkryetarëve nga radhët e komuniteteve jo-shumicë ka pasur shkelje procedurale nga ana e Kryetarit të Kuvendit, përmes vendosjes së një procedure të ndarë votimi për kandidatin nga komuniteti serb dhe atë nga komunitetet tjera jo-shumicë.
Aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese kanë përcaktuar se konstituimi i Kuvendi duhet të bëhet edhe në bazë të praktikave të deritanishme sipas të cilave pesë (5) nënkryetarët e Kuvendit janë votuar në dy pako të ndara. Fryma e Kushtetutës së Republikës së Kosovës (neni 67), Rregullores së Punës së Kuvendit (neni 12) dhe aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese nënvizon thelbësisht nevojën për konsensus dhe gjithpërfshirje gjatë votimit të kryetarit/es dhe nënkryetarëve.
Devijimi nga kjo procedurë, jo vetëm që cenon procesin e konstituimit të Kuvendit por edhe pengon zbatimin e obligimeve kushtetuese për garantimin e përfshirjes së komunitetit serb në institucionet e Republikës së Kosovës.
KDI u bën thirrje subjekteve parlamentare që me përgjegjësi institucionale dhe duke pasur në prioritet interesin shtetëror, të përkushtohen për të gjetur një zgjidhje që përmbyllë sa më parë procesin e konstituimit të Kuvendit në përputhje me frymën e Kushtetutës, Rregulloren e Punës dhe aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese.