KDI: “Bordet politike”, konstantja e secilës qeveri të Kosovës

08 korrik 2021 | 10:59

Instituti Demokratik (KDI) sot ka publikuar hulumtimin “Bordet Politike”, ku ndër tjera ka analizuar Bordet të cilat udhëhoqën me ndërmarrjet publike qendrore gjatë vitit 2020.

Gjetjet e raportit tregojnë për shkelje të Ligjit për  Ndërmarrje Publike nga të gjitha Qeveritë e Kosovës, në kurriz të pavarësisë “politike” të bordeve, përkundër obligimeve ligjore që kërkojnë që anëtarët e Bordeve të përzgjedhen ose emërohen në bazë të kriterit të profesionalizimit, integritetit dhe pavarësisë politike.

“Praktika tregon shumë raste kur kandidatë të subjekteve politike për deputetë të Kuvendit të Kosovës ose kryetarë komunash që nuk kanë arritur të marrin vota të mjaftueshme për t’u zgjedhur në zgjedhjet e viteve të fundit, janë përzgjedhur si drejtorë të bordeve të ndërmarrjeve publike”, është thënë në raport.

Analiza tregon edhe për shkelje tjera që lidhen me përbërjen gjinore të bordeve. “Shumica e bordeve dominohen nga burrat, edhe pse ligji kërkon përfaqësim në masën 50/50. Në praktikë, në vetëm katër nga shtatë Bordet e Ndërmarrjeve publike qendrore (Trepça, Posta e Kosovës, Infrakos, Ibër-Lepenci, Trainkos dhe Kompania për menaxhimin e mbeturinave) ka përfaqësim të grave.  Edhe sa i përket deklarimit të pasurisë nga anëtarët e Bordeve, gjatë vitit 2020,  anëtarët e dy nga shtatë bordeve, fare nuk kanë deklaruar pasurinë e tyre”, është thënë në raportin e KDI-së.

KDI ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që gjatë procesit të zgjedhjes apo emërimit të anëtarëve të bordeve të ndërmarrjeve publike, të vendos në bazë të kriterit të profesionalizmit, integritetit dhe paanësisë politike, duke qenë se ndërmarrjet publike, përmes shërbimeve të tyre prekin drejtpërdrejtë jetën e qytetarëve dhe interesin e gjerë shoqëror.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
35 persona janë arrestuar gjatë operacioni të koduar “Gjysmëfinalja”, i…