KDI-ja: Imunizimi ndaj korrupsionit, parakusht për një shoqëri pa korrupsion

09 dhjetor 2022 | 15:00

Në Ditën Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit, KDI-ja ka lansuar kampanjën “Imunizohu kundër korrupsionit”.

Kjo kampanjë ka për qëllim sensibilizimin e institucioneve, bizneseve dhe qytetarëve mbi nevojën për të punuar së bashku drejt çrrënjosjes së korrupsionit, që mbetet parakushti kryesor për të bërë progres në secilën sferë: drejtësi, zhvillim dhe mirëqenie.

Simbolikë e këtij aktiviteti është “vaksinimi” kundër korrupsionit, për të treguar vullnet qytetar por edhe institucional se kjo duhet të ndodhë çdo ditë dhe duhet të fillojë me se secilin prej nesh, me familjet tona, institucionet dhe shoqërinë.

Personi i parë që “u imunizua nga korrupsioni” ishte ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Ndonëse korrupsioni nuk është term i ri për qytetarët, manifestimi i tij shpesh mund të jetë i fshehtë dhe i vështirë për t’u kuptuar.

Me këtë rast, KDI-ja ka shpërndarë Abetaren Kundër Korrupsionit – një përmbledhje me shpjegime të thjeshta të koncepteve të korrupsionit.

KDI-ja i vlerëson pozitivisht përpjekjet e qeverisë këtë vit për të avancuar ligjet që i shërbejnë parandalimit dhe luftimit të korrupsionit, duke përfshirë ligje si ai për Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit, deklarimin e pasurisë, Këshillin Prokurorial, Kodin e Procedurës Penale, financimin politik, Vetting-un, apo Byronë për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Megjithatë, kanë munguar përpjekjet që në këto diskutime të përçohet një frymë më bashkëpunuese dhe gjithëpërfshirëse me akterët relevantë.

Kjo ka rezultuar me bojkotim të disa prej proceseve nga opozita dhe institucionet e gjyqësorit.

KDI vlerëson se pa pjesëmarrjen e të gjitha institucioneve në iniciativa të rëndësishme, ato nuk do të mund të zbatohen dhe nuk do të përbrendësohen si vlera.

Zhvillim pozitiv këtë vit është mospërfshirja e zyrtarëve të lartë të qeverisë në skandale të korrupsionit dhe inicimi i rasteve “Brezovica” dhe “Subvencionet” nga institucionet e drejtësisë. Por, pavarësisht sinjaleve pozitive, rastet e korrupsionit të lartë që zvarriten me vite të tëra si, “Hidrocentralet”, “Toka”, “Veteranët”, “Stenta” apo “53 milionëshi”, ende nuk kanë marrë epilog.

Në shumë raste korruptive ku janë të përfshirë zyrtarë të profileve të larta nuk ka dënime me burgim efektiv.

Po ashtu, mungojnë vendimet e institucioneve gjyqësore për konfiskimin e pasurisë së fituar kundërligjshëm. Këto vazhdojnë të minojnë besimin e publikut në drejtësi, ndërsa në përditshmëri i dekurajojnë qytetarët për t’i raportuar keqpërdorimet.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kroacia dhe Brazili luajnë sot ndeshjen e tyre më të…