KDI-ja: Infrastrukturë e dobët dhe gjendje emergjente në shkolla (Video)

08 shkurt 17:43

Shkollat në Kosovë vazhdojnë të mos kenë infrastrukturë të duhur për mbajtjen e procesit mësimor. Shumë nxënës ende mësojnë në objekte të vjetra shkollore e në kushte jo të mira higjienike, e që paraqesin rrezik për jetën dhe shëndetin e nxënësve.

Një ndër to është edhe shkolla “Fan S. Noli”, në Kamenicë. Në këtë shkollë, gjendja e tualeteve është e rëndë.

Instituti Demokratik i Kosovës ka mbajtur një takim mes prindërve të nxënësve të kësaj shkolle dhe përfaqësuesve komunal, në kuadër të takimeve që KDI-ja ka zhvilluar për të identifikuar problemet që kanë banorët në komuna të ndryshme të Kosovës, gjatë zbatimit të projektit “Rritja e llogaridhënies së institucioneve të qeverisjes lokale”.

Prindërit kanë kërkuar që të intervenohet në rregullimin e këtyre tualeteve, duke shtuar se fëmijët e tyre janë të rrezikuar.

Ilirjana Maloku, thotë se fëmija i saj është rrëzuar në shkallët që të shpien në tualet, duke pësuar lëndime në kokë.

Arian Mavriqi, gjithashtu prind i një prej nxënësve ceki se rregullimi i këtyre tualeteve është emergjencë.

Prindërit gjithashtu theksuan se më 20.09.2018 me 32 nënshkrime e kanë përcjellë ankesën tek Ministria e Arsimit, kryetari i Komunës, Qëndron Kastrati dhe tek Drejtori i shkollës Mustafa Rrudhani që të ndërmerret diçka sa më shpejtë.

Sipas tyre deri më tani Komuna nuk ka ndërmarrë asgjë rreth kësaj çështje, duke bërë që prindërit çdo ditë e më shumë të shqetësohen rreth shëndetit të fëmijëve të tyre.

Zyrtari komunal  nga drejtoria e Arsimit, Sabri Morina, ceki se këto shqetësime do t’i adresoj në komunë që të ndërmerret diçka. Ky takim është pjesë e projektit “Rritja e llogaridhënies së institucioneve të qeverisjes lokale”, financohet nga Ambasada e Britanisë në Prishtinë.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, të premten…