KDI-ja: Kush po i pengon deputetët të thërrasin seancë për dialogun me Serbinë?

05 korrik 2018 | 17:27

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka pyetur deputetët e Kuvendit të Kosovës pse janë duke hezituar të thërrasin një seancë të jashtëzakonshme për të diskutuar për dialogun me Serbinë.

“Një pjesë e madhe e deputetëve të Kuvendit të Kosovës janë duke kërkuar që dialogu Kosovë-Serbi ti kthehet Kuvendit dhe të diskutohet në këtë institucion. Pse atëherë deputetët e Kuvendit të Kosovës janë duke hezituar të thërrasin një seancë të veçantë që do të fokusohej kryekëput në çështjen e dialogut Kosovë-Serbi?”, është thënë në komunikatën e KDI-së.

Në këtë kontekst, KDI-ja ua ka treguar deputetëve rrugët ligjore se si mund ta thërrasin një seancë.

Komunikata e plotë e KDI-së:

Një pjesë e madhe e deputetëve të Kuvendit të Kosovës janë duke kërkuar që dialogu Kosovë-Serbi t’i kthehet Kuvendit dhe të diskutohet në këtë institucion.

Pse atëherë deputetët e Kuvendit të Kosovës janë duke hezituar të thërrasin një seancë të veçantë që do të fokusohej kryekëput në çështjen e dialogut Kosovë-Serbi?

Që nga konstituimi i përbërjes së fundit të Kuvendit në shtator 2017, legjislatura e VI-të nuk ka mbajtur asnjë seancë me pikë të rendit të ditës, të ardhmen e dialogut Kosovë-Serbi.

KDI më 29 maj 2018 i ka bërë thirrje publike Kuvendit të thërras një seancë të jashtëzakonshme duke e konsideruar rëndësinë që ky proces të diskutohet në institucionin më të lartë përfaqësues të qytetarëve.

Shumë thjeshtë, pse deputetët e Kuvendit nuk janë duke ftuar një seancë plenare me pikë të rendit të ditës dialogun Kosovë-Serbi?

Kush po i pengon deputetët ta bëjnë një gjë të tillë?

Pse po hezitojnë të ushtrojnë të drejtën e tyre?

Çfarë po i ndalon deputetët e Kuvendit të ftojnë seancë diskutimi për temën e dialogut?

Rregullorja e Kuvendit e përcakton qartë. Kjo është kompetencë e vet deputetëve siç përcaktohet në Neni 42 ‘Përcaktimi i rendit të ditës’, Nenin 49 ‘Shqyrtimi i çështjeve urgjente në Kuvend’, Neni 38 ‘Mbledhja e jashtëzakonshme’.

Në fakt edhe vet Presidenti i shtetit mund të kërkoj seancë të jashtëzakonshme dhe të shkojë të informojë deputetët mbi takimin e parë që ka mbajtur në Bruksel me Aleksandër Vuçiq.

Këtë kërkesë KDI-ja ia ka bërë kreut të shtetit më 25 qershor 2018.

Pra, të gjithë flasin por nuk ndërmarrin veprime konkrete.

Të nderuar deputetë dhe përfaqësues të partive politike e institucioneve.

Kosova është vonuar me trajtimin e kësaj teme, në raport me Serbinë. Ftoni seancën dhe diskutoni në Kuvend, aty ku e ka vendin çështja e dialogut Kosovë-Serbi.

Se si duhet ta bëni atë, Rregullorja e Kuvendit të Kosovës e ka të përcaktuar shumë qartë.

Neni 42

Përcaktimi i rendit të ditës

Kryesia, në bashkëpunimin me kryetarët e grupeve parlamentare, e përcakton rendin e ditës për mbledhjen e radhës së Kuvendit. Rendi i ditës u dërgohet deputetëve.
Rendi i ditës konsiderohet i miratuar, përveç se kur në fillim të mbledhjes një ose më shumë grupe parlamentare, përfaqësues të një ose më shumë komisioneve, së paku gjashtë (6) deputetë ia propozojnë me shkrim Kryetarit një amendament për rendin e ditës, përkatësisht nëse një deputet e ngrit një çështje të ngutshme dhe kjo e merr miratimin shumicës. Deputeti, para miratimit të rendit të ditës, mund të propozojë në çdo mbledhje plenare që Kuvendi ta shqyrtojë menjëherë një çështje urgjente. Propozimi duhet të jetë në përputhje me nenin 49 të kësaj Rregulloreje.

Neni 49

Shqyrtimi i çështjeve urgjente në Kuvend

Në secilën mbledhje plenare, deputeti duke e njoftuar paraprakisht Kryetarin e Kuvendit, mund të propozojë që Kuvendi ta shqyrtojë menjëherë një çështje urgjente, e cila duhet te jetë në përputhje me përkufizimin e shtojcës së parë te shprehjeve të Rregullores. Kryetari i Kuvendit ia mundëson deputetit të propozojë në Kuvend. Propozimi i tij vihet në votim. Nëse Kuvendi me votim vendos ta marrë çështjen parasysh, çështja radhitet në rendin e ditës së mbledhjes.
Propozimet e grupeve parlamentare për shqyrtimin e çështjeve urgjente vendosen me votim në Kuvend.

Neni 38

Mbledhja e jashtëzakonshme

Kryesia mund të thërrasë mbledhje të jashtëzakonshme të Kuvendit, për ta shqyrtuar një çështje të ngutshme.
Mbledhjen e jashtëzakonshme mund ta thërrasin edhe: a) Presidenti i Republikës së Kosovës, b) Kryeministri i Republikës së Kosovës, c) Një ose më shumë grupe parlamentare, që përfaqësojnë jo më pak se një të tretën e deputetëve, përkatësisht 40 deputetë të Kuvendit.
Kërkesa për mbledhje të jashtëzakonshme duhet t’i përmbajë çështjen që do të shqyrtohet dhe arsyetimin pse konsiderohet çështje e ngutshme dhe e rëndësishme.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Me ftesën e zëvendësministrit të Financave Fatmir Gashi, Këshilli i…