KDI-ja: Vazhdimi i dialogut nuk duhet ta gjejë Kosovën pa konsensus të brendshëm

06 dhjetor 2019 | 13:02

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka shpalosur sot analizën “Konsensusi i brendshëm si parakusht për vazhdimin e dialogut Kosovë – Serbi”, lidhur me rëndësinë e arritjes së konsensusit politik për procesin e dialogut me Serbinë, si një nga proceset më të rëndësishme në të cilat po kalon vendi.

Gjatë konferencës për medie, Violeta Haxholli nga KDI-ja, ka thënë se kjo analizë tenton t’i japë publikut një pasqyrë më të gjerë të efekteve që ka prodhuar mungesa e deritanishme e konsensusit në mes spektrit politik lidhur me dialogun, si dhe efektet që mund të ketë në këtë proces vazhdimi i mungesës së konsensusit politik.

Haxholli, duke folur lidhur me qëndrimet e spektrit politik rreth fazës përmbyllëse të dialogut, theksoi që arritja e dakordimit të gjerë politik pritet të jetë e vështirë.
Përplasjet politike të cilat mund të vazhdojnë në mes të udhëheqësve institucional do të ndikojnë negativisht në arritjen e konsensusit mes spektrit politik, ndërsa vazhdimit të polarizimeve në qëndrime mund t’i kontribuojnë edhe inatet e vjetra politike dhe kalkulimet partiake, ka thënë ajo.

“Mospajtimet e spektrit politik lidhur me aspekte të caktuara të këtij procesi, kanë çuar vendin në kriza të shpeshta politike dhe institucionale. Duke konsideruar rëndësinë dhe ndjeshmërinë që ka për Kosovën dhe qytetarët e saj përmbyllja e procesit të dialogut me Serbinë, është e nevojshme që të arrihet një pajtueshmëri mes spektrit politik lidhur me vazhdimin e dialogut, përkatësisht parimet mbi të cilat pala kosovare do ta përmbyllë këtë proces”, ka thënë ajo.

Në anën tjetër, Jeta Krasniqi nga KDI-ja ka shpalosur çështjet lidhur me të cilat duhet domosdo të arrihet konsensusi politik.

Ajo ka thënë  formati i dialogut, dimensioni kohor në arritjen e marrëveshjes eventuale me Serbinë dhe temat që duhet të jenë pjesë e dialogut, janë elementet rreth të cilave është tejet e rëndësishme arritja e konsensusit të brendshëm politik.

Sipas Krasniqit, çështje tjetër mjaft e rëndësishme janë edhe marrëveshjet e arritura deri më tani, statusi juridik i pjesës më të madhe të së cilave vazhdon të mbetet i padefinuar qartazi.

“Përveç këtyre elementeve, edhe lobimi mbi bazën e një qëndrimi unik duhet të shoqërojë këtë proces që nga hapat e parë, ndryshe nga praktikat e gabuara të së kaluarës, ka thënë ajo.

Sa i përket efekteve që mund të sjellë arritja ose jo e konsensusit politik, Kransiqi ka deklaruar se në planin e brendshëm, arritja e konsensusit do të evitonte situatat e kundërshtimit të një marrëveshje eventuale, ndërsa, në planin e jashtëm, do të forconte në rend të parë pozitën negociuese të Kosovës në raport me Serbinë, por edhe do të lehtësonte iniciativat për lobim në vendet e treta.

“Kurse, vazhdimi i mungesës së konsensusit do të ndikojë në paralizimin e jetës institucionale, pamundësinë e ratifikimit në Kuvend të një marrëveshje eventuale si dhe mungesën e qëndrimit unik të palës kosovare kundrejt Serbisë dhe partnerëve ndërkombëtarë”, ka deklaruar ajo.

Duke u bazuar në të gjeturat e kësaj analize, si dhe marrë parasysh rëndësinë që ka konsensusi i brendshëm politik në raport me procesin e dialogut, si procesi më i ndjeshëm politik në të cilin po kalon Kosova, Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka ofruar edhe disa rekomandime.

Rekomandimet e KDI-së për dialogun me Serbinë:

Qeveria e re duhet të intensifikojë përpjekjet për arritjen e konsensusit në mes të spektrit politik lidhur me të gjitha fazat e dialogut për arritjen e marrëveshjes përfundimtare me Serbinë, duke përfshirë atë parapërgatitore, përgatitore, përcaktimin e agjendës dhe opsionet mbi marrëveshjen përfundimtare me Serbinë. Konsultimet duhet të zhvillohen mbi bazën e mirëbesimit, duke vendosur në plan të parë interesin e shtetit të Kosovës.

Subjektet opozitare duhet të jenë poaq të përgjegjshme për arritjen e konsensusit për çështje të interesit shtetëror. Ato duhet të tregojnë përkushtim dhe konstruktivitet në mënyrë që të tejkalohen pengesat në arritjen e pajtueshmërisë.

Presidenti dhe kryeministri i vendit, konform përgjegjësive të tyre kushtetuese si duhet të konsultohet në mënyrë të vazhdueshme dhe t’i kontribuojë ndërtimit të konsensusit politik lidhur me procesin e dialogut Kosovë-Serbi.

/Epoka e re/

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dita e tretë e Kampionatit Evropian të Notit në pishina…