KDI: Vazhdon regresi në luftën kundër korrupsionit

23 janar 2020 | 11:07

Rezultatet e Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit (Corruption Perception Index- CPI) për vitin 2019 e zhvendosin Kosovën edhe më poshtë në radhitjen botërore të publikuar sot nga Transparency International, në kuadër të këtij indeksi.

Kjo u bë me dije gjatë konferencës për media të mbajtur nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), degë e “Transparency International” – rrjetit global në luftën kundër korrupsionit.

Me këtë rast Arben Kelmendi nga KDI, ka theksuar se sikurse edhe në vitet e kaluara edhe sivjet, Transparency International (TI) ka publikuar rezultatet e Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit, i cili përdor një metodologji të sofistikuar dhe informatat nga raportet e organizata kredibile ndërkombëtare si Freedom House, World Bank, Bertelsmann Foundation, Global Insight dhe Varieties of Democracy Project.

Ai ka thënë se Indeksi shfrytëzon sistemin e vlerësimit prej 100 shkallësh në të cilin vlerësimi maksimal do të thotë ‘vend i pastër nga korrupsioni’ kurse vlerësimi prej zero pikë do të thotë ‘vend shumë i korruptuar’.

Kelmendi ka njoftuar se në nivel global, prej 180 vendeve që marrin pjesë në këtë vlerësim, Danimarka vazhdon të radhitet e para edhe këtë vit me një pikë më pak se vitin e kaluar (87 pikë) sa ka edhe Zelanda e Re.

Sipas tij, vendin e tretë e mban Finlanda me 86 pikë pasuar nga , Singapori, Suedia dhe Zvicrra me 85 pikë.

Kurse Florent Spahija nga KDI, ka deklaruar se Kosova me 36 pikë sivjet ka humbur edhe një pikë në sistemin e vlerësimit të CPI (nga 37 sa kishte më 2018 në 36 pikë) dhe si rrjedhojë ka rënë nga pozita e 93-të në atë të 101-të.

“Këtë pozitë Kosova e ndanë me Bosnjën, Panamanë, Perunë dhe Tajlandën. Me 36 pikë Kosova largohet edhe më tej nga mesatarja globale prej 43 pikësh, përderisa mesatarja evropiane shënon rritje në 66 pikë. Rankimi i dobët i Kosovës në Indeksin e sivjetmë i atribuohet kryesisht institucioneve të brishta të sundimit të ligjit, nivelit të lartë të mosndëshkueshmërisë së rasteve të korrupsionit, mungesës së llogaridhënies së zyrtarëve publikë, transparencën e pamjaftueshme dhe ngushtimin e hapësirës për pjesëmarrje qytetare”, ka shtuar ai.

Sipas Spahisë, një gjetje tjetër interesante nga krahasimi i rezultateve për vendet e rajonit tregon se i tërë rajoni po kalon nëpër një periudhë stagnimi dhe asnjë nga shtetet e rajonit nuk ka shënuar ngritje në krahasim me vitin e kaluar. “Kapja e shtetit përbën njërën prej pengesave kryesore në luftimin e korrupsionit dhe vendosjen e drejtësisë”, ka thënë ai.

Sipas KDI-së, Kosova duhet të fokusohet urgjentisht në tre fusha në mënyrë që të shënojë përparim: Pavarësinë e sistemit të drejtësisë, luftën kundër korrupsionit dhe në fushën e prokurimit publik, kërkohet ngritja e transparencës në të gjitha fazat e procedurës së prokurimit.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një avion zjarrfikës është rrëzuar në Australi, duke lënë pas…