
KEDS-i: Të shtunën nis shkyçja e bizneseve pa kontratë me furnizues të licencuar
Kompania Kosovare për Distribuim me Energji Elektrike (KEDS) ka njoftuar se nga e shtuna, 16 gusht 2025, do të fillojë shkyçjen nga rrjeti elektrik të të gjitha bizneseve që nuk kanë nënshkruar kontratë me një furnizues të licencuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE).
KEDS-i ka theksuar se ky veprim është detyrim ligjor, i përcaktuar nga paragrafi 7 i nenit 39 të Ligjit për Energjinë Elektrike dhe neni 8 i Rregullës për Ndërrimin e Furnizuesit.
“Në pajtim me njoftimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) të datës 13 gusht 2025, duke filluar nga data 16 gusht 2025, KEDS e ka të ndaluar ligjërisht të lejojë vazhdimin e furnizimit me energji elektrike për konsumatorët që nuk kanë marrëveshje të vlefshme me një furnizues të licencuar”, ka njoftuar KEDS-i.
KEDS u ka bërë thirrje të gjithë bizneseve që ende nuk kanë nënshkruar kontratë ta bëjnë këtë pa vonesë, për të shmangur ndërprerjen e furnizimit me energji elektrike.
“Ky proces është pjesë e reformave të liberalizimit të tregut të energjisë, sipas udhëzimeve të ZRrE. KEDS nuk ofron shërbime të furnizimit me energji elektrike – roli ynë është i kufizuar ekskluzivisht në shpërndarjen e energjisë dhe jemi të detyruar të zbatojmë të gjitha vendimet e ZRRE-së”, ka njoftuar KEDS-i.
KEDS-i apelon që bizneset të kontaktojnë sa më parë një furnizues të licencuar nga ZRrE-ja, në mënyrë që të sigurojnë vazhdimësinë e furnizimit dhe të përmbushin detyrimet ligjore.