
KEK-u shtyn për një ditë afatin për lidhje të kontratave me bizneset
Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka njoftuar se ka shtyrë afatin për lidhje të kontratave me bizneset.
Afati është shtyrë për 1 ditë, teksa theksohet se arsye për këtë ka qenë interesimi i madh dhe pamundësia që të realizohen të gjitha brenda afatit të paraparë.
“Për shkak të interesimit të jashtëzakonshëm nga ana e bizneseve, si dhe pamundësisë për të realizuar të gjitha kontratat brenda afatit të paraparë, ju njoftojmë se afati për lidhjen e kontratave për Furnizim të Mundësisë së Fundit (FMF), bazuar në vendimin e ZRrE-së, është shtyrë deri nesër, më dt: 11.06.2025”.
“Nëse jeni ndër konsumatorët që preken nga ky vendim dhe ende nuk keni lidhur kontratën tuaj, ju ftojmë të veproni sa më parë”, ka njoftuar KEK-u.
Me rastin liberalizimit të tregut të energjisë elektrike, vendim i cili hyri në fuqi më 1 qershor, shumë biznese u ankuan se po pranojnë oferta shumë të shtrenjta për furnizim me rrymë.
Kjo ka bërë që KEK-u të përcaktohet si Furnizues i Mundësisë së Fundit (FMF).
Sipas njoftimit të mëhershëm, KEK-u ka njoftuar se është përcaktuar si FMF për një periudhë kalimtare deri më 30 korrik 2025, për të gjithë konsumatorët që ende nuk kanë zgjedhur furnizues në tregun e lirë.