
Kelmendi: Edi Rama drejt mandatit të katërt, politikani më i suksesshëm shqiptar pas rënies së komunizmit
Gazetari dhe autori i “Rubikon” në “Klan Kosova”, Adriatik Kelmendi, ka reaguar pas publikimit të rezultateve të mbi 30 për qind të votave në gjithë Shqipërinë, ku po del se Edi Rama është rrugës drejt mandatit të katërt.
Kelmendi ka thënë se Partia Socialiste, e udhëhequr nga kryeministri Rama, bazuar në këto shifra, do t’i sigurojë 83 mandate.
Sipas tij, me këtë arritje, Rama bëhet politikani më i suksesshëm shqiptar, pas rënies së komunizmit.
“Edi Rama po ecën sigurt drejt mandatit të katërt, me plot 83 deputetë, sipas rezultatit nga numërimi i mbi 30 për qind të votave në gjithë Shqipërinë. Koalicioni rreth Sali Berishës është në trendin e rreth 50 deputetëve. 7 deputetë të tjerë pritet të ndahen në mes të 4 subjekteve të tjera politike. Ky rezultat historik ia mundëson Edi Ramës mandatin e katërt rresht në krye të qeverisë së Shqipërisë. Me këtë rezultat, Edi Rama bëhet politikani bindshëm më i suksesshëm shqiptar i të gjitha trojeve, pas rënies së komunizmit”, ka shkruar Kelmendi në “Facebook”.