Kelmendi: Medaljes Olimpike iu gëzuan të gjithë shqiptarët

07 gusht 2020 | 21:34

7 gushti 2016 do të mbetet një nga datat që do të hyjë në librat sportivë jo vetëm në Kosovë. Një vend i vogël, pas vetëm dy ditësh debutimi në ngjarjen më të madhe sportive në botë, Lojërat Olimpike, ia doli ta fitojë medaljen e artë.

Xhudistja Majlinda Kelmendi bëri miliona shqiptarë krenarë, kur fitoi një nga një luftërat në kategorinë deri në 52 kilogramë, për t’u ngjitur më pas në majën e podiumit të Lojërave Olimpike “Rio 2016”. Krahas medaljes, flamuri ynë valoi më së larti, duke e përfshirë Kosovën në hartën e shteteve me medaljen olimpike.

Katër vjet më pas, Majlinda vazhdon të mos ndalet dhe ndihet e uritur për suksesin tjetër madhështor, medaljen e dytë olimpike. Ajo po përgatitet për Lojërat Olimpike Tokio 2020, të shtyra për një vit shkaku i pandemisë Covid-19. Ky përvjetor e gjen Majlindën bashkë me trajnerin e saj, arkitektin e këtij suksesi, Driton Kuka, në Turqi, ku po marrin pjesë në kampin përgatitor me kombëtaren e Turqisë. Kampionia Olimpike në intervistën dhënë Komitetit Olimpik të Kosovës, kujton me krenari 7 gushtin e 2016-s.

Këtë herë ky përvjetor po ju gjen në Turqi në kamp përgatitor. Si po ndiheni sot në katër vjet me medalje të artë?
Kelmendi: Sa më shumë kohë që po kalon aq më e pabesueshme po më duket medalja e artë olimpike. Jam shumë e lumtur dhe krenare njëkohësisht.

 A keni marrë sot urime për këtë përvjetor dhe a ju ka uruar edhe ndonjë xhudiste ose personalitet i lartë në Kosovë ose jashtë vendit?
Kelmendi: Kam marrë mjaft urime sot dhe mendoj që medaljes olimpike iu kanë gëzuar të gjithë shqiptarët kudo që janë.

 Si ndiheni kur i shihni videot e finales apo të pranimit të medaljes, si dhe a i shikoni ende luftërat deri në finale?
Kelmendi: Kohë pas kohe i shikoj luftërat, dhe sa herë që i shoh më emocionojnë shumë. Kujtimi është ende shumë i freskët.

Cilin moment e kujtoni më së shumti nga 7 gushti 2016? Finalen, ceremoninë e medaljeve, ngritjen e flamurit apo…?
Kelmendi: Që të gjitha këto që i përmendët e kanë pasur domethënien e vet. Secili kujtim është më i bukur se tjetri.

Çfarë ka ndryshuar te Majlinda prej fitimit të medaljes së artë olimpike?
Kelmendi: Realisht asgjë, sepse vazhdoj me qenë Majlinda e njëjtë qysh kam qenë gjithmonë.

 7 gushtin 2021 do ta festosh vetëm me medaljen e Rios, apo edhe me ndonjë medalje nga “Tokio 2020”?
Kelmendi: Besoj shumë që prej Tokios do të kthehem me medalje.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
  Deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk e kanë miratuar…