Kelmendi pas djegies së depos së ELKOS-it: Hyra që ta fikja zjarrin, gati pësova edhe vetë

25 mars 2023 | 11:17

Një zjarr i madh ka kapluar sot depon qendrore të kompanisë Elkos e cila është në pronësi të biznesmenit Ramiz Kelmendi. Dëmet llogariten të jenë të mëdha. E nga zjarri thotë se ka mundur të pësoj edhe vet afaristi Kelmendi. Ai për Nacionalen ka shpjeguar se si hyri në depo për ta shuar zjarrin, e që desh e pësoi edhe vet. E lëndime nga zjarri kanë marrë tetë persona.

“Unë edhe vet hyna me intervenu, gati mbeta brenda. Kur e pash gjendjen, hyra me intervenu me aparatat me ato gjanat, por veçse ishte e kote. Depoja- magazina është 200 mijë metra katrorë. Më e madhja në Kosovë e në regjion. Në momentin kur zjarri ka kapluar depon, nuk ka qenë askush,”- ka thënë Kelmendi.

Tutje ai ka treguar se në momentin kur depo është kapluar nga zjarri, brenda nuk ka qenë askush.

“Ende nuk poe dimë shkaktarin. Këta personat që janë lëndu kanë qenë prej objekteve tjera që kanë hy me e ndalë zjarrin, që kanë tentu me vepru,”- ka thënë Kelmendi për Nacionalen.

E nga Policia e Kosovës për rajonin e Pejës thanë se në vendngjarje ka dalë policia e zjarrfikësit.

“Një depo prapa kompanisë së ELKOS-it është përfshirë nga zjarri, mirëpo ende nuk dihet nëse ka persona të lënduar. Në vend ngjarje kanë dalë policia dhe zjarrfikësit. Ende asgjë nuk dimë nëse ka persona të lënduar”, ka thënë zëdhënësi i policisë Fadil Gashi.

Tutje nga Spitali i Pejës kanë njoftuar se si pasojë e zjarrit në depon e ELKOS-it për momentin janë duke u trajtuar tetë pacientë.

Sipas njoftimit, pacientët janë jashtë rrezikut për jetë.

“Në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë deri më tani janë duke u trajtuar 8 pacientë nga rasti i djegies së një objekti në Pejë. Pacientët janë duke u trajtuar tek Spitali ynë dhe gjendja e tyre është stabile dhe jashtë rrezikut për jetë dhe janë raste kryesisht të helmuar nga tymi.”

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Së paku gjashtë persona raportohet se janë dërguar në spitalin…