Kërcënime me vdekje për gazetarët serbë që shkruan për Kosovën e Ukrainën
Gazeta “Danas” në Serbi është vënë nën mbrojtje të policisë, pasi është kërcënuar se do ta ketë fatin e njëjtë sikurse revista satirike franceze, “Charlie Hebdo”, disa gazetarë të së cilës janë vrarë nga një sulm i ekstremistëve islamistë në vitin 2015.
Pas pranimit të një emaili kërcënues, redaksia e “Danas”, në Serbi është gati e zbrazët. Shumica e stafit punon nga shtëpia. “Gazetarët dhe kolumnistët tuaj janë në rrezik të vrasjes nga disa struktura të ekstremit të djathtë, që veprojnë në hije. Kur breshëria e plumbave të nisë befas dhe të bjerë mbi kokat tuaja, ju do të vetëdijesoheni dhe do të kuptoni gjithçka”, është thënë në emailin anonim.
Kryeredaktori i “Danasit”, Dragoljub Petroviq, ka thënë se kërcënimet e nacionalistëve të ekstremit të djathtë lidhen me mbulimin e luftës në Ukrainë dhe të marrëdhënieve të Serbisë me Kosovën.
“Janë disa etiketa klasike që na ngjiten: se jemi patriotë të pamjaftueshëm, se jemi tradhtarë. Ne ua ofrojmë mundësinë të gjithëve ta thonë atë që mendojnë. Dhe njerëzit, thjeshtë, nuk kanë njohuri të mjaftueshme mediatike për të kuptuar se nëse publikon një intervistë me kryeministrin e Kosovë Albin Kurti, nuk do të thotë se je tradhtar, por gazetar”, ka theksuar ai.



