Kërcënimi i Kërshëndellave: Letra që ndryshoi fatin e Kosovës
Më 25 dhjetor 2025 bëhen 34 vjet nga “Kërcënimi i Kërshëndellave” që më vonë u shndërrua në testament për angazhimin e ShBA-së në mbrojtjen e shqiptarëve të Kosovës.
Në dimrin e vitit 1992, në kohën kur kishte nisur rezistenca paqësore e kosovarëve dhe zinxhirët e tankseve serbe ‘grinin’ tokën e Kosovës, udhëheqësi fashist i Serbisë, Sllobodan Millosheviç, do të njoftohej për herë të parë nga ambasada amerikane në Beograd për porosinë unikale të Shtëpisë së Bardhë rreth zhvillimeve në Kosovë.
Presidenti i 41-të i Shteteve të Bashkuara, George H. W. Bush, në një letër drejtuar diktatorit serb më 25 dhjetor 1992, paralajmëroi se ShBA-ja do të intervenonte nëse Serbia nis luftën. Ky ishte mesazhi qëndror i Kërcënimit të Kërshëndellave, një letër që më vonë u shndërrua në simbol të angazhimit të ShBA-së për mbrojtjen e Kosovës.
“ShBA-ja, në kuadër të konfliktit në Kosovë, të shkaktuar nga aksionet e Serbisë, do jenë të gatshme të përdorin forcë ushtarake kundër serbëve në Kosovë dhe Serbi”, thuhej në letrën testament të presidentit Bush drejtuar Millosheviçit, pasuar nga paralajmërimi i dytë i Shtëpisë së Bardhë, menjëherë pas një viti, në shkurt 1993.
“Ne jemi të përgatitur për t’iu përgjigjur serbëve në rast të një konflikti në Kosovë të shkaktuar nga aksionet e Serbisë”, deklaroi kryediplomati amerikan, Warren Christopher, i cili rifuqizoi porosinë e prerë të presidentit Bush dhe, për më shumë, simbolizoi një deklaratë me peshë historike për rolin amerikan në çlirimin e Kosovës.
Në artikulimin e Kërcënimit të Kërshëndellave kontribuoi edhe ambasadori amerikan, Robert Gelbard, i cili shërbeu si përfaqësues special i ShBA-së për Ballkanin. Në mars 1998, në pyetjen nëse porosia e presidentit Bush ishte akoma valide pas rikonfigurimit të administratës amerikane, ai ishte pëgjigjur: “Politika e ShBA-së s’ka ndryshuar”.
Gjashtë vjetë më vonë, në vitin 1999, presidenti i 42-të i ShBA-së, Bill Clinton, do ta realizonte porosinë. Sekretarja e Shtetit, Madeleine Albraight, në përpjekje për të arritur një qëndrim të unifikuar të administratës amerikane rreth Kosovës, do t’ia përkujtonte shpesh presidentit Clinton zotimin e presidentit Bush në dhjetor 1992.
“Koha për t’i ndaluar vrasjet është tani, para se të përhapen. Mënyra më e mirë për ta bërë këtë është të ndërmerren veprime të menjëhershme kundër regjimit në Beograd”, deklaroi Albright më 8 mars 1998. Për shefen e diolomacisë amerikane, bombardimi i Serbisë ishte kthyer në një mision shumë personal, përtej angazhimit diplomatik.
Zyrtarë të asaj kohe, sipas gazetarit dhe publicistit kosovar, Blerim Shala, kishin thënë se Kërcënimi i Kërshëndellave ka qenë rezultat i analizave të zhvillimeve të fundit në Kosovë dhe, në anën tjetër, presidenti Bush, në këtë mënyrë, ka dashur t’ia përkujtojë presidentit Clinton – i cili do të betohej në janar – për rrezikun e luftës në Kosovë.
Kjo letër, krahas premtimit të presidentit Clinton dhënë delegacionit kosovar nën drejtimin e presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova, që amerikanët nuk do të lejojnë që në Kosovë të përsëritet Bosnja, vlerësohen të kenë peshën e dy vendimeve kapitale për angazhimin amerikan në mbrojtjen, çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës.



