Kërkesa e ShBA-së që Kosova të marrë gazin LNG, Rizvanolli: Në vend të gazsjellësit, gazifikim dhe import nga terminali i Vlorës
Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka reaguar ndaj debatit për gazin e lëngëzuar amerikan (LNG), duke mohuar pretendimet se Qeveria e Kosovës ka refuzuar këtë projekt. Ajo ka theksuar se Kosova nuk është kundër LNG-së amerikane, por se zgjidhja më e favorshme për vendin është importi përmes terminalit të Vlorës në Shqipëri, në vend të ndërtimit të një gazsjellësi të ri.
Në një video të publikuar në “Facebook”, Rizvanolli ka thënë se është e pasaktë të thuhet se institucionet e Kosovës refuzojnë gazin e lëngëzuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Sipas saj, qeveria që në vitin 2022 ka nënshkruar një memorandum bashkëpunimi me Shqipërinë për projektin e termocentralit të Vlorës me LNG, duke e konsideruar këtë alternativë si më praktike, më të shpejtë dhe ekonomikisht më të favorshme.
“Ne mund të importojmë LNG-në përmes Vlorës, të prodhojmë energjinë elektrike atje dhe ta transmetojmë në Kosovë përmes linjës së interkoneksionit 400 kV, e cila tashmë ekziston dhe nuk kërkon investime shtesë”, ka thënë ajo.
Rizvanolli ka hedhur poshtë edhe pretendimet se Kosova ka refuzuar gazin apo gazsjellësin amerikan në vitin 2021, duke theksuar se kjo nuk është e vërtetë dhe se për projektin e asaj kohe do të japë sqarime të detajuara në një adresim tjetër.
Ajo ka theksuar se strategjia energjetike e Kosovës bazohet në shfrytëzimin e rezervave të qymyrit, burimeve të ripërtëritshme, kogjenerimit për ngrohje qendrore dhe efiçiencës së energjisë.
“Kosova është me fat që ka rezerva të mëdha të qymyrit, gjë që na ka mundësuar të mos krijojmë varësi nga gazi dhe të mbajmë çmimet e energjisë elektrike më të ulëta në rajon”, ka thënë ministrja.
Rizvanolli ka thënë se LNG-ja nuk shihet si zëvendësim i burimeve vendore të energjisë, por vetëm si një burim shtesë në periudhat kur prodhimi vendor nuk është i mjaftueshëm.
Ajo ka theksuar gjithashtu se Kosova mbetet plotësisht e harmonizuar me politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara dhe mbështet përpjekjet amerikane për të zvogëluar ndikimin e Rusisë në rajon përmes sektorit të gazit.
“Kosova nuk importon asnjë metër kub gaz rus. Prandaj, përpjekjet për ta paraqitur këtë debat si zgjedhje mes Rusisë dhe Amerikës janë të pavërteta dhe të palogjikshme”, ka thënë Rizvanolli.



