Kërkohet dorëheqja e bordit të ZRrE-së, LDK: Njehsorët elektrikë matin gabimisht energjinë elektrike
Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Visar Azemi, në një konferencë për medie, ka prezantuar fakte të një skandali të madh të mashtrimit përmes njehsorëve të energjisë elektrike.
Nga verifikimi në terren i 884 njehsorëve, rezulton se 87% e tyre e matin kohën gabimisht, duke faturuar energjinë me tarifë të shtrenjtë edhe gjatë konsumimit në orët e natës, kur tarifa është me të lirën.
Ai ka theksuar se krejt kjo si rezultat i dështimit të Qeverisë dhe ZRrE-së për ta monitoruar sistemin e llogaritjes së kohës në njehsorët e energjisë elektrike.
Azemi tha se përderisa Qeveria i fton qytetarët që ta kursejnë energjinë përmes tarifave të ulëta, ajo po i mashtron ata duke i detyruar të paguajnë me tarifë të shtrenjtë.
Gjatë kësaj konference, Azemi paraqiti kërkesat e LDK-së që të bëhet hetim i pavarur dhe auditim i plotë i sistemit të faturimit të KESCO, dorëheqje e bordit të ZRrE-së, kompensim në mënyrë retroaktive për çdo qytetar të dëmtuar, ndërprerje të çdo procesi të shqyrtimit për rritje të tarifave të energjisë elektrike, hetim nga Prokuroria për përgjegjësi penale.
Azemi i bëri thirrje qytetarëve që të kontrollojnë njehsorët nëpër shtëpitë e tyre si dhe të mos heshtin, duke kërkuar kompensim dhe llogari nga institucionet për këtë skemë mashtrimi.



