Kërkohet mobilizimi i institucioneve për t’i mbrojtur çlirimtarët në Hagë

30 nëntor 2020 | 10:59

Njohësit e rrethanave politike në vend kanë bërë me dije se institucionet e Kosovës duhet të mobilizohen për t’u dalë në ndihmë ish-eprorëve të UÇK-së të cilët janë akuzuar për krime lufte nga Gjykata Speciale. Sipas tyre, institucionet duhet të ndihmojnë për gjetjen e provave që do ta ndihmojnë mbrojtjen e të akuzuarave.

Ish-ministrja për Dialog, Edita Tahiri, ka deklaruar për gazetën “Epoka e re” se pas aktakuzave të para, Kosova gjendet në një situatë jo të mirë. “Kosova është në një gjendje shumë të rëndë në përgjithësi, në njërën anë për shkak të pandemisë dhe inicimi i proceseve nga Gjykata Speciale e ka rënduar këtë gjendje edhe më shumë. Kjo gjendje kërkon një mobilizim më të madh të institucioneve të shtetit tonë. E para për të siguruar një mbrojtje shtetërore sa më të mirë për ata që janë në gjykatë, në mënyrë që argumentimi të bëhet me një mbështetje sa më të madhe institucionale”, ka thënë Tahiri. Ajo ka vlerësuar se kjo situatë kërkon një unitet të spektrit politik. “Në këtë drejtim duhet të ketë një unitet politik dhe kombëtar. Në këtë kuadër kam bërë thirrje për një qeveri uniteti, që me të vërtetë do ta rriste kapacitetin institucional dhe nevojën për të folur me një gjuhë në këtë kohë të rëndë”, është shprehur Tahiri.

Profesori universitar Valon Murati beson se institucionet e Kosovës me kërkesë të avokatëve mund të ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të caktuara që do të mund t’i ndihmonin të akuzuarit. “Unë tani në këtë fazë nuk mendoj se institucionet kanë shumë mundësi të ndihmojnë. Janë mekanizmat për t’i ndihmuar edhe financiarisht ata që akuzohen si dhe familjarët e tyre. Dhe besoj se me kërkesën e avokatëve institucionet tona mund të ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të caktuara që do të mund t’i ndihmonin të akuzuarit. Përtej kësaj, do të jetë vështirë një ndërhyrje më e madhe sepse konsiderohet si ndërhyrje në drejtësi”, ka deklaruar Murati për gazetën “Epoka e re”, duke shtuar se lufta për të vërtetën e luftës çlirimtare duhet të jetë permanente. “Lufta për të vërtetën tonë e të luftës sonë pastaj është një çështje tjetër e të cilën duhet ta zhvillojmë çdo ditë e në mënyrë sistematike e jo me fushata të përkohshme dhe emocione të çastit”, ka deklaruar Murati.

Ndërsa analisti politik Shkëlzen Maliqi ka bërë me dije se ndihma materiale dhe juridike për të akuzuarit duhet të bëhet në mënyrë transparente.

“Sa kam kuptuar, Qeveria e Kosovës është zotuar se do të ofrojë ndihmë materiale dhe juridike për të akuzuarit, dhe kjo është në rregull dhe duhet të bëhet në mënyrë transparente dhe, çfarë është me rëndësi, profesionale për gjetjen e provave që do ta ndihmojnë mbrojtjen e të akuzuarave”, ka vlerësuar Maliqi për gazetën “Epoka e re”.

Sipas tij, Kosova duhet të bëjë dekonstruktim faktografik të propagandës serbe kundër luftës së UÇK-së.

“Nuk do të duhej të bënim kundërpropagandë të thjeshtë, por dekonstruktim faktografik të propagandës dhe sajesave paragjykuese serbe që luftën çlirimtare të UÇK-së e paraqesin si terrorizëm dhe luftë të motivuar me qëllime fetare. Për gjykatën, por edhe opinionin botëror, ne nuk kemi bërë sa duhet për rikujtimin e krimeve të planifikuara dhe masive të Serbisë dhe këto në dy aspekte, ato të faktuara me rreth 50 masakrat e popullsisë civile, ku shumica dërrmuese e tyre nuk janë hetuar dhe gjykuar, edhe nëse urdhëruesit dhe ekzekutorët nuk kanë marrë dënime meritore, por simbolike, në mos dhe janë liruar nga përgjegjësia”, ka thënë ai, duke shtuar se Kosova nuk ka ditur të mbajë gjallë dhe vazhdimisht të kërkojë dënimin e përgjegjësve të zhvarrosjes të mijëra civilëve të vrarë në Kosovë që janë bartur në varrezat masive në Serbi.

“Prej tyre janë hapur vetëm disa, më e madhe në Batajnicë, në poligonin e ushtrimit të forcave policore serbe, si një shembull më eklakant i përpjekjeve që të zhduken dëshmitë sipas logjikës së mbrapshtë dhe kriminele: ‘Nëse nuk ka kufoma, nuk ka krim e as përgjegjësi’. Së fundi vetë qarqet kundër regjimit në Serbi kanë zbuluar se menjëherë pas përfundimit të luftës kabineti i kryeministrit Gjingjiq ka qenë i informuar për Batajnicën dhe listën me gjithsejtë 16 varreza masive gjithandej Serbisë ku janë fshehur kufomat e viktimave civile shqiptare!”, është shprehur Maliqi.

Ai ka thënë se Qeveria e Kosovës do të bënte punë të madhe nëse do të bënte një promemorie ose padi ndaj Ivica Daçiqit dhe përgjegjësve të tjerë për krimet masive të luftës që kanë bërë forcat serbe e që kanë mbetur të pahetuara dhe të pandëshkuara. “Në sfondin e kriminalizimit të luftës çlirimtare, zbardhja e këtyre krimeve do të riaktualizonte një kontekst tashmë të zbehur të motiveve pse ka qenë e pashmangshme kryengritja e UÇK-së dhe mobilizimi i tërë shoqërisë së Kosovës kundër regjimit serb dhe çlirimit të Kosovës”, ka thënë Maliqi.

Ditë më parë edhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka deklaruar se Qeveria e Kosovës duhet të angazhohet për mbrojtjen e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët po akuzohen nga Gjykata Speciale për krime lufte në Hagë. “Në Hagë nuk janë duke u përndjekur vetëm individët, por as nuk mund të mbrohen të pandehurit sikur individë. Shteti i Kosovës duhet të organizojë dhe koordinojë mbrojtjen e të pandehurve. Ata i pamë se i kanë avokatët e tyre secili, por nevojitet bashkërendim nga shteti. UÇK-ja nuk ka qenë e asnjërit, por e të gjithëve dhe të gjithë duhet ta mbrojmë atë”, ka thënë Kurti.

Në vitin 2015 Qeveria e Kosovës ka miratuar Ligjin për mbrojtjen juridike dhe mbështetjen financiare të personave të akuzuar potencialë në proceset gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara. Sipas këtij ligji, çdo i akuzuar ka të drejtën për ndihmë financiare dhe mbulim të shpenzimeve të mbrojtjes. “Të gjithë personat e akuzuar kanë të drejtën e kërkesës për asistencë për mbulimin e shpenzimeve të mbrojtjes dhe të angazhimit të mbrojtësit të pavarur, me përvojë dhe kompetencë, që paguhen nga buxheti i Kosovës, i alokuar  për qëllimet e këtij ligji”, thuhet në këtë ligj. Po ky ligj ua siguron mbulimin e shpenzimeve edhe familjarëve të tyre gjatë vizitave që do t’u bëjnë këtyre personave, të cilët do të përballen me procese gjyqësore në Hagë.

Deri më tani Gjykata Speciale ka konfirmuar akuzat ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe Salih Mustafa. Para Speciales, ata po mbrohen nga avokatë të njohur ndërkombëtarë. Në paraburgim në Hagë, edhe pse pa aktakuza, aktualisht janë edhe udhëheqësit e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj.

Muhamet KOCI

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkruan: Anisa Bahiti Për ne, që kemi lindur kur sapo…