Kërkohet ndryshimi i ligjit për Gjykatën Speciale

17 prill 15:51

Organizata “Familja dhe Shpresa” edhe sivjet ka përsëritur kërkesën që vazhdimisht ka për autoritetet e Kosovës.

Në një letër drejtuar presidentit Hashim Thaçi dhe krerëve tjerë politikë, Zana Bytyqi-Geci, kryetare e kësaj organizate ka kërkuar të ndërmarrin masa ndaj kriminelëve të Serbisë për krimet e luftës ndaj shqiptarëve duke kërkuar ndryshim të Ligjit për Gjykatën Speciale.

Në këtë letër theksohet se institucionet ndërkombëtare të drejtësisë kanë dështuar qe 21 vjet që të dënojnë ata që bënë krime ndaj shqiptarëve në Kosovë.

“Familja dhe Shpresa” ka thënë se pos drejtësisë ndërkombëtare dhe asaj vendore, në Kosovë që nga 2015-a “kanë dështuar” edhe të gjithë politikanët që “miratuan ligjin për krijimin e gjykatës speciale gjysmake dhe diskriminuese me të cilën po amnistohen kriminelët e Serbisë dhe ndërmarrja e saj vrastare e viteve 1998-99”.

“Kur drejtësia ndërkombëtare heshtë për krimet Serbe të luftës, parlamenti duhet të plotësojë ligjin për gjykatën speciale. Edhe kësaj pranvere si edhe 21 pranvera të tjera, që nga përfundimi i luftës së vitit 1998-1999, institucionet ndërkombëtare të drejtësisë kanë dështuar në prosekutimin e kriminelëve të Serbisë për krimet e luftës ndaj shqiptarëve të vendit tonë. Ka dështuar ish-gjykata penale ndërkombëtare për krimet në ish-Jugosllavi. Kanë dështuar gjykatat në Kosovë dhe gjykatësit e prokurorët e përbashkët të Kosovës dhe të EULEX-it. E po aq, sa të gjitha këto struktura ndërkombëtare dhe kosovare, kanë dështuar edhe krejt partitë politike në Kosovë, e bashkë me ta edhe kryetarët e shtetit, krejt kryeministrat dhe parlamentarët e deritashëm. E që nga gushti i vitit 2015 kanë dështuar sidomos po të njëjtit kur me duart e tyre krejt partitë politike dhe deputetët e tyre e ndryshuan kushtetutën dhe miratuan ligjin aty në Prishtinë në parlamentin e Kosovës për krijimin e gjykatës speciale gjysmake dhe diskriminuese me të cilën po amnistohen kriminelët e Serbisë dhe ndërmarrja e saj vrastare e viteve 1998-1999”, është thënë në hyrje të kësaj letre.

Po ashtu, në këtë letër kërkohet “të përmirësohet gabimi” e të plotësohet Ligji për Specialen.

“Përkundër kësaj, ashtu si edhe krejt këtyre viteve, edhe kësaj jave, ju kryetar i Kosovës, Hashim Thaçi, ashtu si edhe krejt politikanët e tjerë të Kosovës në pushtet dhe opozitë deri më tash, po hidhni fajin vetëm tek ‘drejtësia ndërkombëtare’. Jeni pikërisht ju i njëjti dhe krejt krerët e partive politike dhe krejt parlamentarët e Kosovës që nga vitit 2015, që po heshtni turpshëm dhe po tentoni që të shfajësoni veten. Kur drejtësia ndërkombëtare në rastin konkret, heshtë dhe dështon, jeni krejt ju dhe pikërisht parlamenti i Kosovës ata të cilët mund ta bëni dhe duhet që ta bëni punën tuaj e të përmirësoni gabimin e rëndë e të turpshëm të gushtit 2015 dhe ta plotësoni ligjin në fjalë për të dërguar para drejtësisë kriminelët e Serbisë”, është thënë në këtë letër.

Në mesazhin drejtuar Thaçit, kjo organizatë ka kërkuar nga ai që të bëjë kërkesë për plotësim të ligjit “me çka do të kërkohej nga kryeprokurori Jack Smith që të ndërtojë aktpadi për kriminelët serbë të cilët shëtitën lirshëm nëpër Serbinë e homologut tuaj Aleksandër Vuçiq”.

“Duke ju cituar juve zotëri kryetar kur thoni: ‘…Kriminelët serbë, fatkeqësisht, vazhdojnë të jenë të lirë dhe të trajtohen si heronj në Serbi. Kurse, drejtësia ndërkombëtare po vazhdon të heshtë, duke i amnistuar këta kriminelë!’, ju lutemi na tregoni zotëri Thaçi pse po lejoni që këta kriminelë të mos gjykohen dhe të mos e marrin dënimin e merituar për krimet e tyre ndaj civilëve shqiptarë të Kosovës, kur keni mundësi të bëni një gjë të tillë duke bërë plotësimin e ligjit për Gjykatën Speciale për Kosovën? Pse nuk po e përdorni këtë të drejtë kushtetuese, por po akuzoni të tjerët kur aty në Prishtinë mund të inicioni zgjerimin e kompetencave të Jack Smithit përmes ligjit?”, është thënë në letrën drejtuar Thaçit.

Të njëjtat pyetje u janë drejtuar edhe të gjitha krerëve të partive në vend. Organizata ka thënë se të gjithë politikanët po heshtin e po dëmtojnë “aq sa ka bërë bashkësia ndërkombëtare”.

“Krejt këto pyetje vlejnë po aq edhe për të gjithë krerët e partive vendore në Kosovë: VV (Albin Kurti); LDK (Isa Mustafa); AAK (Ramush Haradinaj); NISMA (Fatmir Limaj); AKR (Behxhet Pacolli)…e po aq edhe për parlamentarët e tyre të mëhershëm dhe të tashëm, sepse që të gjithë po heshtni dhe po dështoni po aq sa edhe bashkësia ndërkombëtare për krimet e luftës që i ka bërë Serbia ndaj shqiptarëve të Kosovës. Që të gjithë ju së bashku e keni mundësinë për të vepruar konkretisht dhe ta plotësoni ligjin në fjalë dhe t’i kërkoni prokurorit Jack Smith përmes plotësimit të ligjit që të ngre padi ndaj kriminelëve serbë të mbrojtur nga Vuçiqi për krejt krimet e luftës ndaj shqiptarëve të vendit tonë”, thuhet tutje.

“Unë Zana Bytyqi-Geci ju bëj kërkesë në emër të të gjithë familjarëve që humben më të dashurit e tyre gjatë luftës se fundit në Kosovë, që më në fund ta përmirësoni këtë gabim të bërë ne vitin 2015 nga të gjithë ju dhe ta plotësoni ligjin në fjalë. Ju lutem, plotësojeni ligjin që të gjithë ju së bashku aty në parlament të Kosovës, në Prishtinë, në mënyrë që shpirtrat e më ë dashurve tanë dhe krejt heronjve tanë që e dhanë jetën për liri të Kosovës të pushojnë të qetë e që drejtësia të zbatohet”, është thënë në letrën e cila mban firmën e Zana Bytyqi-Gecit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Më 20 prill britanikët mund t’I adresojnë shqetësimet e tyre…