Kërkohet nga policia ta ruajë objektin e OVLUÇK-së, Klinaku tregon arsyen

25 janar 2023 | 13:42

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVLUÇK) ka kërkuar nga policia që ta ruajë objektin e kësaj organizate për shkak të vjedhjes në Paris të një laptopi të një gjyqtari të Gjykatës Speciale me të dhëna sensitive.

Kjo kërkesë e OVLUÇK-së që është publikuar nga ushtruesi i detyrës së kryetarit të kësaj organizate, Faton Klinaku ndërlidhet me ngjarjet që kishin ndodhur më herët, ku persona të maskuar kishin dorëzuar dosje të Speciales në selinë qendrore të veteranëve të UÇK-së në Prishtinë.

Për shkak të këtyre dosjeve janë dënuar nga Specialja dy drejtuesit kryesorë të OVLUÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj.

Klinaku ka bërë me dije se i është drejtuar për këtë kërkesë drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Fehmi Hoti, por ende nuk kanë marrë asnjë përgjigje.

Postimi i plotë i Klinakut në “Facebook”:

Meqenëse kanë kaluar 24-orë nga kërkesa jonë drejtuar Policisë, e ende nuk na ka ftuar askush, si dhe nuk i janë përgjigjur kërkesës për të marrë masat, po e publikojmë:

z. Fehmi Hoti,

Ushtrues detyre i drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Kosovës

I nderuar,

Siç jeni të informuar, në objektin e Organizatave të dala nga lufta e UÇK-së, në rrugën e UÇK-së në Prishtinë, ka pasur zhvillime rreth dosjeve të Gjykatës Speciale me seli në Hagë, thënë më konkretisht, një person i maskuar për tri herë me radhë i ka sjellë ato dosje në Organizatën e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, gjë që për këtë, për më shumë se dy vite, në mënyrë të pafajshme po mbahen në paraburgim krerët e organizatës sonë.

Po ashtu, siç është paraqitur në mediet tona e që e ka publikuar një gazetë franceze, ka pasur grabitje në Paris dhe i është vjedhur laptopi një gjyqtari të Speciales me të dhëna sensitive, prandaj kërkojmë nga Ju që të merrni masat e duhura për ta ruajtur objektin apo hyrjen e ndërtesës sonë, me qëllim që të mos përsëriten ngjarjet e shtatorit të vitit 2020.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Skitaret e Kosovës, Lirika Deva dhe Enxhi Sefaj, kanë përfunduar…