Kërkohet paraburgim kundër gjashtë të arrestuarve për rastin e kultivimit të narkotikëve

18 shkurt 2022 | 12:44

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit nga Gjykata Themelore në Prizren, ndaj të pandehurve A.R., M.V., E.M., F.M., A.M., dhe E.D., të cilët me vendim të Prokurorit të Shtetit gjenden nën masën e ndalimit 48 orësh nga data 16.02.2022. Sipas kërkesës së prokurorisë, nga data e pavërtetuar e deri me datë 16.02.2022, pa autorizim, kanë kultivuar bimën e hashashit, shkurres së kokainës ose bimën e kanabisit, me qëllim të prodhimit të narkotikeve ose substancave psikotropike.

“Në bashkëkryerje me njëri-tjetrin kanë kultivuar bimën narkotike brenda një objekti që ka shërbyer si mulli në fshatin Shirokë, Komuna e Suharekës, dhe atë në katin e 7-të, ashtu që me datë 16.02.2022, rreth orës 14:15 minuta, me rastin e ekzekutimit të urdhër kontrollit, në objektin e cekur është zbuluar vendi ku bëhej kultivimi i bimës narkotike, pajisjet dhe materialet për kultivimin e bimës narkotike si dhe rreth 32 kilogramë, substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë, e cila ishte në procesin e tharjes, si dhe 2059 saksi – vazo, që kishin të mbjella bimë të dyshuara të llojit kanabis sativa, e po ashtu në vendin e ngjarjes janë zënë në flagrancë të gjithë të pandehurit”, ka njoftuar Prokuroria Themelore në Prizren.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Beatrix vijon ta mbështesë Donaldin, dhe pas ngjarjeve të fundit.…