
Kërkohet paraburgimi për pesë zyrtarët policorë pas vdekjes së Agon Zejnullahut
Prokurorët kanë kërkuar paraburgim për pesë zyrtarë të Policisë së Kosovës, nën dyshimet për përfshirje në një ndërhyrje që përfundoi me vdekjen e një të riu 27-vjeçar, gjatë një seance të mbajtur të mërkurën në Gjykatën Themelore të Prishtinës, dega në Lipjan.
Duke folur për medie pas seancës dëgjimore, avokati mbrojtës i njërit nga pesë policët e dyshuar, Besnik Berisha, tha se ky është një rast “që ka tronditur secilin, por një rast që unë besoj se as nuk i kanë kontribuuar e as shkaktuar këta zyrtarë policorë”.
“Sot u kërkua masa e paraburgimit vetëm për një arsye, sepse raportet janë të acaruara mes palës së dëmtuar dhe zyrtarëve policorë të arrestuar”, tha Berisha.
Rasti ka ndodhur në orët e hershme të 7 korrikut në Lipjan, ndërsa në mbrëmje janë arrestuar të pesë policët që janë marrë me rastin, nën dyshimet se kanë kryer veprën penale “vrasje nga pakujdesia”.
Policia ka thënë se i ndjeri, i identifikuar si Agon Zejnullahu, dyshohet se ka qenë nën ndikimin e alkoolit dhe duke sulmuar automjete e kalimtarë, kur është ndaluar nga autoritetet e rendit.
Berisha tha se Policia e Kosovës “sot po etiketohet e sulmohet dhe madje padrejtësisht po linçohet, derisa mjekësia ende nuk ka folur dhe nuk dihet as shkaku i vdekjes e as kontributi në shkakun e vdekjes, e aq më pak nuk dihet se cilat ishin substancat të cilat ishin në organizmin e tani të të ndjerit”.
Ai shtoi se zyrtarët policorë “nuk janë fajtorë” dhe se ata vepruan “në përputhje” me kompetencat e tyre ligjore.
“Ata kontribuuan për liri dhe drejtësi dhe vepruan ashtu siç janë të trajnuar ashtu siç e kanë udhëzimin administrativ për përdorimin e forcës dhe u dolën në ndihmë qytetarëve të Lipjanit”, tha ai.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë thirrje për transparencë të plotë, përgjegjësi institucionale dhe drejtësi pakompromis lidhur me rrethanat e vdekjes së Zejnullahut.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar dhe ka thënë se pret “hetim të thellë dhe sa më të shpejtë që zbardh të vërtetën e plotë dhe i bën të njohura të gjitha rrethanat” e vdekjes së 27-vjeçarit.
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se hetimet janë duke u zhvilluar me intensitet maksimal dhe se kushdo që rezulton fajtor për vdekjen e të riut, do të marrë dënimin e merituar.
Nga pamjet e shpërndara në mediat sociale, që thuhet se janë nga rasti në Lipjan, viktima duket me duar të lidhura dhe në gjunjë, ndërsa më pas bartet me auto-ambulancë.
Familja ka deklaruar se është e zhgënjyer me mungesën e deritashme të transparencës nga autoritetet.
Vëllai i viktimës, duke folur për disa media në Prishtinë më 8 korrik, tha se familjarët nuk kanë marrë asnjë sqarim nga policia, ndërsa trupi i të ndjerit “ka pasur shumë shenja dhe thyerje”.
Kryeministri në detyrë, Kurti, duke komentuar reagimet publike për ngjarjen, ka thënë se “tendenca që të nisë një antifushatë ndaj Policisë është e dëmshme dhe nuk është zgjidhje”.
“Thirrjet për drejtësi dhe përgjegjësi janë të drejta, por ato më së miri realizohen me rezultatet e plota të hetimeve, dhe një verdikt profesional në bazë të tyre”, është shprehur Kurti. /REL