
Kërkohet që Mali i Zi të dëmshpërblejë familjarët e të gjithë viktimave civile të luftërave
Vendimi i Qeverisë së Malit të Zi për ndarjen e ndihmës financiare për familjet e viktimave civile të luftërave të viteve ’90 është historik dhe me rëndësi të madhe për përballjen me të kaluarën, por nuk i ka përfshirë familjet e të gjitha viktimave.
Ky është vlerësimi i përbashkët i organizatës Aksioni për të Drejtat e Njeriut (HRA), Komitetit të Juristëve të Malit të Zi për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Shoqatës “Shtërpcë – Kundër Harresës”, shkruan Radio Evropa e Lirë.
Shoqëria civile thotë se shteti ka një detyrim moral edhe ndaj viktimave të krimeve të luftës në Kalugjerski Laz, ku Ushtria e Jugosllavisë qëlloi mbi një kolonë refugjatësh nga Kosova dhe vrau 21 persona.
Qeveria e Malit të Zi ka vendosur që ndihma të ndahet për gjithsej 16 familje të viktimave të rasteve të deportimit të refugjatëve nga Bosnja dhe Hercegovina në vitin 1992, të rrëmbimit në Shtërpcë (në Bosnje) në vitin 1993, si dhe të bombardimeve të NATO-s në Murinë dhe Tuz në vitin 1999.
Familjeve do t’u ndahen nga 100 mijë euro, duke korrigjuar kështu një padrejtësi disadekadëshe dhe duke konfirmuar përkushtimin e Malit të Zi për njohjen e të drejtave të të gjitha viktimave të luftës, thuhet në vendimin e Qeverisë.
Megjithatë, sektori civil thotë se nuk është e qartë pse Qeveria ka lënë jashtë familjet e viktimave të tjera civile të luftës.
Duhet të dëmshpërblehen edhe viktimat e zhdukjeve me dhunë në Kosovë dhe në Bosnje e Hercegovinë, si dhe rastet e vrasjeve dhe dëbimeve në Bukovicë, thotë Tea Gorjanc Prelleviq nga HRA.
“Ato janë gjithashtu familje të viktimave civile të luftës, statusi i të cilave është njohur me ndryshimet e fundit ligjore, dhe që kanë pasur ose ende kanë shtetësinë e Malit të Zi”, thotë Gorjanc Prelleviq për Radion Evropa e Lirë.
Miratimi i ndryshimeve në Ligjin për Mbrojtjen e Veteranëve dhe Invalidëve të Luftës në shkurt të këtij viti ka mundësuar që familjet e viktimave civile të luftës të kërkojnë dëmshpërblim.
Sipas ligjit, viktimë civile e luftës konsiderohet një person civil i vrarë apo i zhdukur gjatë konflikteve të armatosura në territorin e ish-Jugosllavisë pas 17 gushtit 1990, që kishte shtetësinë e ish-RSFJ-së.
Dëmshpërblimet janë të parashikuara për anëtarët e familjeve të viktimave që kanë shtetësi malazeze.
Sipas të dhënave të HRA-së, Mali i Zi duhet të dëmshpërblejë së paku edhe nëntë familje të tjera.
Gorjanc Preleviq shton se shteti ka një detyrim moral edhe ndaj viktimave të krimeve të luftës në Kallugjerski Laz, ku Ushtria e RFJ-së qëlloi mbi një kolonë refugjatësh nga Kosova dhe vrau 21 persona.
Për shkak të mangësive në hetime dhe procedurat penale, gjatë të cilave nuk u përcaktua përgjegjësia për këtë krim, gjykatat i hodhën poshtë të gjitha kërkesat për dëmshpërblim si të parashkruara.
Edhe sipas evidencës së Komitetit të Juristëve për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut ka ende disa familje që duhet të dëmshpërblehen, thotë kryetari i këtij komiteti, Velija Muriq.
Ai përmend rastin e familjes Ibrahimaj nga Peja, e cila vitet e fundit jeton në Rozhajë.
Në Kallugjerski Laz humbën jetën katër anëtarë të kësaj familjeje, të cilët në atë kohë kishin shtetësi të përbashkët të Serbisë dhe Malit të Zi, thotë Muriq për Radion Evropa e Lirë.
Ai përmend edhe rastin e djaloshit Senad Daciq, i cili humbi jetën nga shpërthimi i bombave kasetore në fshatin Besnik afër Rozhajës, të hedhura nga avionët e ushtrisë së Serbisë dhe Malit të Zi në prill të vitit 1999.
“Kjo familje nuk ndryshon në asgjë nga viktimat në Murinë. I vetmi dallim është se viktimat në Murinë u vranë nga avionët e NATO-s, ndërsa këtu kemi të bëjmë me ushtrinë e Serbisë dhe Malit të Zi”, thotë Muriq.
Në Murinë humbën jetën gjashtë civilë, përfshirë tre fëmijë, ndërsa katër të tjerë u plagosën. Familjet e tyre janë përfshirë në vendimin për dëmshpërblim.
Shkrimi i plot në këtë link: https://www.evropaelire.org/a/kompesimi-i-viktimave-e-luftes-ne-mal-te-zi-/33403002.html