Kërkohet që OSHP-ja ta rrisë konsistencën në vendimmarrje

06 nëntor 2019 | 13:33

Demokraci Plus (D +) ka mbajtur një tryezë diskutimi në të cilën ka publikuar raportin “Roli i Organit Shqyrtues të Prokurimit në mosefikasitet në prokurim publik”. D+ka analizuar të gjitha vendimet e Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) për periudhën qershor 2018 – maj 2019.

Disa nga të gjeturat kryesore janë; mungesa e konsistencës në vendimmarrje, e cila zvogëlon besimin në vendimet e OSHP-së.

E gjetur tjetër është se OSHP-ja në përgjithësi injoron ligjet tjera të aplikueshme, siç është Ligji i Punës dhe kjo krijon probleme për tenderët për sigurim fizik dhe pastrim të objekteve ku punëtorët janë të nënpaguar dhe punojnë me orar të tejzgjatur.

Christine Danton nga USAID-i ka theksuar nevojën që të rritet besimi në institucionet e Kosovës dhe që OSHP-ja të rrisë konsistencën në vendimmarrje. Ajo ka thënë gjithashtu se shpreson që qeveria e re të zgjedhë dy anëtarët tjerë të OSHP.

Kryetari i bordit të OSHP-së, Blerim Dina ka pranuar që ka jokonsistencë në vendimmarrje dhe ka treguar hapat që do të marrë OSHP-ja për të përmirësuar këtë.

Ai ka thënë se tani të gjithë ekspertët që bëjnë ekspertizat e tyre kanë format e caktuara të cilat duhet t’i plotësojnë.

Dina ka shtuar se janë duke marrë hapa për të përmirësuar konsistencën pasi kjo po shihet si vrimë e zezë për OSHP-në.

Paneli shqyrtues i OSHP-së përballet me shumë rekomandime të gabuara nga ekspertët shqyrtues, të cilët bëjnë gabime duke filluar nga llogaritje të thjeshta matematikore e deri te gabimet ku deklarojnë se disa dokumente nuk janë kërkuar në dosje të tenderit.

Demokraci Plus ka theksuar se ky është një problem i madh për OSHP-në dhe duhet të merren masa që të rishikohen të gjitha rekomandimet e ekspertëve shqyrtues.

Gjatë diskutimit, një tjetër problem u prezantua në lidhje me listën e zezë joefektive për kompanitë që shkelin ligjin.

Demokraci Plus ka gjetur se kompanitë e vendosura në listë të zezë po janë të lira që të ofertojnë në tenderë tjerë, ndërsa ligji thotë që kompanitë në listë të zezë nuk kanë të drejte të ofertojnë gjatë kohës që janë në këtë listë.

Në fund, Demokraci Plus i ka rekomanduar OSHP-së që të marrë masa për t’i përmirësuar vendimet e OSHP-së.

Gjithashtu Demokraci Plus (D+) i ka rekomanduar OSHP-së që të auditojë të gjitha rekomandimet e ekspertëve, të krijojë një databazë të vendimeve të mëhershme dhe të përdorë databazën nga D+ në mënyrë që të përmirësojë situatën në lidhje me vendimet jokonsistente.

Një rekomandim tjetër ishte që OSHP-ja të publikojë të gjitha ankesat, rekomandimet e ekspertëve dhe dokumentet tjera në uebfaqen e OSHP-së.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sulmuesi Pierre-Emerick Aubameyang është duke kaluar një formë të mirë…