Kërkohet qetësi dhe bashkim para ndeshjeve historike

12 dhjetor 2019 | 11:27

Ish-kryetarët e FFK-së, Agim Bytyçi, Sabri Hashani dhe ish-përzgjedhësit e Përfaqësues së Kosovës, Ajet Shosholli, Bylbyl Sokoli, Edmond Rugova, Albert Bunjaki, si dhe ndihmëstrajneri aktual Muharrem Sahiti, kanë kërkuar qetësi dhe të gjithë të janë bashkë para ndeshjeve historike që Kosova i zhvillon në muajin mars në rrugëtimin drejt kualifikimit historik në Kampionatin Evropian. 

Ish-kryetarët e Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Bytyçi e Sabri Hashani dhe ish-përzgjedhësit e Përfaqësueses së Kosovës, Ajet Shosholli, Bylbyl Sokoli, Edmond Rugova, Albert Bunjaki dhe ndihmësi i Bernard Challandesit, Muharrem Sahiti, janë pritur të mërkurën në një takim nga kryetari aktual i FFK-së, Agim Ademi dhe sekretari i përgjithshëm, Eroll Salihu.

Kryetari Ademi Ademi falënderoi të gjithë protagonistët e periudhave të ndryshme për kontributin e madh që kanë dhënë për futbollin e Kosovës. “Përfaqësuesja  po na bën krenarë të gjithë neve dhe ka arritur ta sjellë futbollin tonë në pikën më të lartë prej ekzistimit të tij. Falë rezultateve të ‘dardanëve’ dhe punës sonë kemi arritur që futbollin ta kthejmë në sport familjar, ku njerëzit i shtyjnë edhe obligimet e tyre kur luan Përfaqësuesja, e cila po i jep kënaqësi mbarë kombit. Ndihem i nderuar që jam në krye të këtij institucioni, por e them me sinqeritet të plotë se këto suksese nuk janë rezultat vetëm i punës sonë të tanishme, por meritat janë të të gjithë atyre që në periudha të ndryshme kohore kanë dhënë kontributin e tyre në FFK dhe në futbollin e Kosovës. Pra, sikur të mos ishte koha e mbijetesës, të cilën unë e quaj të artë, dhe që është unike, sepse nuk ka ndodhur askund tjetër në botë që për aq shumë vite në kushte të okupimit të bëhet një organizim i tillë, ne do ta kishim shumë më të vështirë të arrinim ku jemi sot”, ka thënë Ademi.

Kryetari i parë i FFK-së, Agim Bytyçi, u shpreh falënderues ndaj drejtuesve të federatës për respektin që po e ruajnë në vazhdimësi për ata që në të kaluarën e dhanë kontributin e tyre për formësimin e kësaj federate dhe të ekipit përfaqësues të Kosovës. Edhe ish-kryetari Sabri Hashani u shpreh mirënjohës për respektin që po tregojnë drejtuesit aktualë të FFK-së, kurse i përgëzoi ata për sukseset e deritanishme. Ish-përzgjedhësi i Kosovës, Ajet Shosholli, ka thënë se populli që nuk e rikujton dhe respekton të kaluarën nuk ka ardhmëri. Sipas tij, është për t’u vlerësuar respekti që drejtuesit aktualë të FFK-së kanë për gjeneratat e mëparshme. Ish-përzgjedhësi tjetër i Kosovës, Bylbyl Sokoli, pasi foli për të kaluarën, ka thënë se është e nevojshme që nga ky takim t’u bëhet thirrje të gjithëve se nuk është koha e destabilizimit të federatës. “Ditët e fundit në mjetet e informimit e kemi shumë të shprehur përpjekjen për destabilitet në FFK dhe kjo e dëmton shumë futbollin tonë. Nuk dua të përcaktohem se kush ka të drejtë apo nuk ka, por duhet ta kemi parasysh se këto debate ndikojnë në harxhimin e energjisë dhe e dëmtojnë mobilizimin tonë para dy ndeshjeve historike që do t’i luajë Kosova në muajin mars. Andaj, vlerësoj se e kemi obligim të gjithë ne që kemi dhënë kontribut nëpër periudha të ndryshme, që të bëjmë thirrje për qetësim të situatës sepse jemi në një periudhë të ndjeshme dhe kjo reflekton tek ekipi kombëtar dhe mund ta dëmtojmë synimin tonë. Situatat si këto që ishin ditët e fundit e ndihmojnë vetëm Maqedoninë e Veriut, e cila lehtë mund të kualifikohet tutje pa lojë, por njëherësh i shkojnë përshtati edhe Serbisë, e cila vazhdimisht kundërshtimin e saj e ka përqendruar në atë se Kosova nuk di të mbajë institucione”, ka deklaruar Sokoli.

Edhe dy ish-përzgjedhësit e tjerë, Edmond Rugova dhe Albert Bunjaki, të cilët kanë falënderuar drejtuesit aktualë të federatës për respektin, kanë kërkuar që të ruhet qetësia dhe të gjithë të janë të bashkuar para dy ndeshjeve historike për Përfaqësuesen e Kosovës, e cila mund ta shkruajë historinë duke u kualifikuar në Kampionatin Evropian.

/Epoka e re/

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Bazuar në mandatin sindikal, edhe Sindikata e Pavarur e Doganës…