Kërkohet të rritet numri i inspektorëve dhe këshilluesve bujqësorë për siguri më të madhe ushqimore

22 maj 2019 | 16:18

Shtimi i numrit të inspektorëve dhe këshilluesve bujqësorë po shihet të jetë nevojë e domosdoshme me qëllim që në Kosovë të ketë siguri më të madhe ushqimore. Ndërkaq rritja e cilësisë së produkteve dhe prodhimeve ‘bio’ po konsiderohet hap i rëndësishëm që prodhimet vendore të depërtojnë në tregun e Bashkimit Evropian.

Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, ka thënë se kjo komunë ka përparësi shumë të madhe për zhvillim të bujqësisë pasi që 70 për qind e territorit të saj janë hapësira kodrinore-malore.

Kastrati ka thënë se është ngritur vetëdija e qytetarëve për të investuar në këtë veprimtari, pasi që këtë vit janë rreth dyzet përfitues të granteve të Ministrisë së Bujqësisë, kurse viteve të mëparshme kanë qenë jo më shumë se tetë. “Vitet e fundit buxheti për subvencione për të gjitha kategoritë ka qenë 9 mijë e 925 euro që nënkupton subvencione jo vetëm në bujqësi por në të gjitha fushat. Ne jemi duke kërkuar nga niveli qendror që të ndajë fonde shtesë. Vitin e kaluar edhe këtë vit kemi arritur për të marrë një fond jo të mjaftueshëm. Ne si shtet duhet të zvogëlojmë burokracinë në aspektin e shpërndarjes së subvencioneve dhe granteve”, ka thënë Kastrati.

Nga Departamenti për Këshilla Bujqësore që vepron në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, përfaqësuesi Tahir Halitaj ka theksuar se ministria ka hartuar mekanizma shtesë për të zbatuar në tërësi standardet e Bashkimit Evropian. Megjithatë, sipas tij, politikat për përfitues të granteve duhet t’u përshtaten edhe prodhuesve të vegjël. “Edhe ne e vlerësojmë që kemi nevojë për këshilltarë që i zbatojnë standardet. Numri i këshilltarëve është i kufizuar për shkak të buxhetit të Qeverisë edhe nuk mund të pranohen punëtorë, por ne e kemi mekanizmin e certifikimit të këshilltarëve privat dhe të licencimit të kompanive që na plotësojnë në terren me këshilla”, ka thënë Halitaj.

Sabedin Kadriu, koordinator rajonal për Gjilan në AUVK, ka pohuar se me kapacitetet e vogla të inspektorëve që kanë në dispozicion po mundohen të ofrojnë siguri ushqimore për qytetarët e këtij regjioni. “Sa i përket sigurisë ushqimore, thashë në fillim, jemi duke e bërë të pamundurën të mundur, mirëpo me atë kapacitet që e kemi të fuqisë punëtore, konkretisht të inspektorëve është shumë i vogël”, është shprehur ai.

Ky debat për fushë veprimtarinë bujqësore në Kosovë u zhvillua në kuadër të projektit “Përkrahje për Komunikim në Procesin e Integrimit Evropian” që financohet nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë në bashkëpunim me Ministrinë e Integrimeve Evropiane.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Kosovës ka bërë me…