Kërkon falje burri që vrau ish-kryeministrin japonez

05 dhjetor 2025 | 08:21

Burri i akuzuar për vrasjen e ish-kryeministrit japonez Shinzo Abe i ka kërkuar falje familjes së ish-liderit për herë të parë.

Tetsuya Yamagami, i cili më parë u deklarua fajtor për vrasje, i tha gjykatës të enjten se ndihej “thellësisht keq” për të vejën e Abes, Akie.

Yamagami përdori një armë të bërë në shtëpi për të qëlluar Abe-n gjatë një eventi të fushatës politike në qytetin perëndimor të Narës më 8 korrik 2022. Ai vdiq në spital po atë ditë.

Vdekja e Abes shkaktoi tronditje në të gjithë botën. Ai ishte i njohur për politikën e tij të jashtme agresive dhe një strategji ekonomike karakteristike që u bë e njohur gjerësisht si “Abenomics”.

“I kam shkaktuar [familjes] tre vjet e gjysmë vuajtje… Nuk kam asnjë justifikim”, i tha Yamagami gjykatës të enjten, sipas mediave lokale.

Ai thuhet se u tha hetuesve se e sulmoi Abe-n sepse e fajësoi ish-kryeministrin për gjoja promovimin e Kishës së Unifikimit, të cilën Yamagami tha se e kishte falimentuar nënën e tij dhe familjen e gjerë.

Akuzat e Yamagamit nxitën hetime ndaj Kishës së Unifikimit, e cila filloi në Korenë e Jugut dhe është e njohur për dasmat e saj massive, raporton BBC.

Në mars të këtij viti, një gjykatë në Tokio urdhëroi që kisha të shpërbëhej – një vendim për të cilin kisha tha se do të “luftonte deri në fund”.

Kisha e Unifikimit ka shkaktuar polemika edhe para vrasjes së Abe-s, për mësimin se martesa është thelbësore për shpëtimin shpirtëror.

Gjyshi i Abes, Nobusuke Kishi, i cili ishte gjithashtu kryeministër i Japonisë, njihej se kishte qenë i afërt me Kishën e Unifikimit për shkak të natyrës së saj antikomuniste. Vetë Abe kishte folur në ngjarje që lidheshin me grupin.

Gjatë një seance dëgjimore muajin e kaluar, prokurorët lexuan një deklaratë nga e veja e Abes në të cilën ajo shkroi: “Hidhërimi i humbjes së një burri nuk do të lehtësohet”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zyrtarët dhe mediat ruse raportuan se dronët ukrainas goditën portin…