KESCO apelon për kursim të energjisë elektrike

16 janar 2026 | 12:51

Kompania për Furnizim me Energji Elektrike në Kosovë (KESCO) u ka bërë thirrje të gjithë konsumatorëve që të kursejnë energjinë elektrike, duke theksuar se konsumi mbi 2000 kWh ndikon ndjeshëm në rritjen e faturave dhe në ngarkesën e sistemit elektroenergjetik.

Sipas KESCO-s, në këtë nivel konsumi, kursimi nuk është vetëm çështje individuale, por përgjegjësi e përbashkët për ruajtjen e stabilitetit të furnizimit me energji elektrike.

Kompania ka rekomanduar disa masa të menjëhershme për uljen e konsumit, përfshirë mbajtjen e temperaturës 20–21°C gjatë ditës dhe 18–19°C gjatë natës, ngrohjen e vetëm një ose dy hapësirave kryesore, përdorimin e moderuar të kondicionerëve, si dhe shmangien e përdorimit të njëkohshëm të bojlerit me pajisje të tjera të rënda elektrike.

Po ashtu, KESCO ka këshilluar që furra elektrike të përdoret vetëm kur është e domosdoshme, duke theksuar se edhe një ulje prej 10 për qind e konsumit në këtë nivel sjell përfitime të mëdha si në faturë, ashtu edhe në stabilitetin e furnizimit për të gjithë konsumatorët.

Në aspektin afatgjatë, KESCO rekomandon zëvendësimin e sistemeve konvencionale të ngrohjes me pompa termike ose kondicionerë efikas, të cilët kanë koeficient transformimi më të lartë dhe ndikojnë në uljen e konsumit dhe të kostove.

“Konsumi i mençur sot nënkupton siguri dhe stabilitet energjetik nesër”, ka njoftuar  KESCO.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Udhëheqësja e opozitës venezuelase, Maria Corina Machado, ia dhuroi medaljen…