
Këshilli i Sigurimit i OKB-së mblidhet më 21 tetor për Kosovën
Këshilli i Sigurimit i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) do të diskutojë për Kosovën më 21 tetor, ka njoftuar faqja zyrtare e kësaj organizate.
Në këtë seancë të re, Këshilli i Sigurimit do të shqyrtojë raportin më të fundit të sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, i cili do të paraqitet nga shefja aktuale e UNMIK-ut, Caroline Ziyade. Raporti pritet të bëhet publik në ditët e ardhshme.
Kjo seancë vjen gjashtë muaj pas diskutimit të fundit në prill, ku fokusi kryesor i debatit mes vendeve anëtare ishte e ardhmja e UNMIK-ut në Kosovë, mision i cili filloi në qershor të vitit 1999, pas miratimit të Rezolutës 1244 të KS-së.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretëria e Bashkuar kishin kërkuar ndërprerjen e misionit të UNMIK-ut, ndërsa Franca, Rusia dhe Kina mbështetën vazhdimin e mandatit të këtij misioni.