
Këshilli Kombëtar i Sigurisë: ShBA bën thirrje që të gjitha palët ta respektojnë vendimin e Kushtetueses
Këshilli Kombëtar i Sigurisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës e ka mbështetur qëndrimin e të dërguarit të posaçëm të ShBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grennell, për vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me dekretin e presidentit Hashim Thaçi për nominimin për kryeministër të Avdullah Hotit nga LDK-ja.
Grenelli kishte thënë se ky vendim duhet të respektohet nga të gjitha palët.
“Gjykata Kushtetuese foli. Për të siguruar paqen dhe stabilitetin dhe për të mbështetur integritetin e sistemit të drejtësisë së Kosovës- të gjithë duhet të respektojnë vendimin e Gjykatës. Mezi pres të vazhdoj punën time me njerëzit e Kosovës dhe qeverinë e tyre për të sjellë prosperitet, zhvillim dhe punë në rajon”, ka thënë Grenelli.
Këshilli Kombëtar i Sigurisë së ShBA-së në faqen e vet zyrtare në “ Twitter” kur e publikoi qëndrimin e Grenellit ja thënë: “Qëndrimi i përfaqësuesit special Richard Grenell për vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Shtetet e Bashkuara bëjnë thirrje për të gjitha palët që ta respektojnë vendimin e Gjykatës”.
Qëndrimi i Grenelli së pari ishte publikuar në Ambasadën e ShBA-së në Gjermani, ku më vonë ishte publikuar edhe në profilin zyrtar të Këshillit Kombëtar të Sigurisë.
Statement from Special Envoy @RichardGrenell on the decision by #Kosovo’s Constitutional Court. The United States calls on all parties to respect the Court’s decision. https://t.co/GOJFq67bLJ
— NSC 45 Archived (@WHNSC45) May 29, 2020