
Këshilltarja e ministrit Faton Peci me dokumente të lëshuara nga strukturat paralele të Serbisë
Kandidati i GUXO për Mitrovicën, Faton Peci, i cili është në koalicion me Vetëvendosjen e Alternativën, vazhdimisht po merret me temën e veriut të vendit duke përmendur aksionet e fundit për shtrirjen e ligjshmërisë në atë pjesë.
Mirëpo, duket se kjo po bëhet për fushatë zgjedhore, pasi brenda ekipit të tij ka pasur prej kohësh një këshilltare që ka dokumente që nuk e njohin shtetin e Kosovës, të lëshuara nga strukturat paralele të Serbisë në Kosovë.
Dokumenti shihet se është në çirilicë dhe ka ende afat, deri në vitin 2027.
Nga dokumenti i siguruar, shihet se këshilltarja Dzenita Shabani, është pajisur me dokumente serbe në vitin 2017.
Ndërkaq, lehtësisht në profilin e saj konfirmohet se ajo është këshilltare e ministrit Faton Peci në Ministrinë e Bujqësisë.
Madje, ajo mban si “pinned” një postim që lidhet edhe me garën në Mitrovicë.
Në profilin e saj në Facebook, Shabani ka postuar një fotografi ku ajo haptazi i jep përkrahje Faton Pecit edhe në garën për Mitrovicën, në një fotografi ku duket me Faton Pecin si dhe këshilltarin tjetër Shkëlzen Haliti, me mbishkrimin “ne jemi gati, Mitrovica është gati”.
Kujtojmë se strukturat paralele kanë qenë në thumb të qeverisjes së Albin Kurtit dhe zhbërja e tyre ka qenë qëllimi kryesor i kësaj qeverie.
Mirëpo, duket se këshilltarja e Faton Pecit ka përfituar mjaft nga këto struktura, duke siguruar dokumente serbe. (Paparaci).