
Kështu ndahen mandatet në Kuvendin e Prizrenit
Zgjedhjet komunale të 12 tetorit kanë përfunduar me fitore të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Prizren, e cila ka marrë 19,546 vota, duke siguruar 14 ulëse në Asamblenë Komunale.
Pas PDK-së renditet Lëvizja Vetëvendosje (LVV) me 12,882 vota dhe 9 asamblistë, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) zë vendin e tretë me 8,300 vota, që i sigurojnë 6 ulëse në kuvend.
Në vendin e katërt qëndron partia e Zafir Berishës, BDP, me 4,076 vota dhe 3 përfaqësues, ndërsa AAK dhe KDTP do të kenë nga 2 asamblistë secila. Partia Nisma arrin të sigurojë një ulëse.
Ndërkohë, gara për kryetar të komunës do të vendoset në balotazh më 9 nëntor, ku do të përballen Shaqir Totaj nga PDK dhe Artan Abrashi nga Vetëvendosje. Totaj kryeson me 26,383 vota, ndërsa Abrashi ka marrë 19,338, me një diferencë prej rreth 7 mijë votash.