
Këta janë biznesmenët e arrestuar pas vdekjes së dy punëtorëve në Gjakovë
Dy punëtorë kanë humbur jetën sot në vendin e punës në Gjakovë, teksa ishin duke punuar në lartësi.
Lidhur me rastin, Policia ka ndaluar dy persona: Albert Margegaj rreth 49-vjeçar dhe Xheladin Pozhegu rreth 46-vjeçar.
Sipas hetimeve të para, dy punëtorët e ndjerë, Hazir Jakupaj rreth 48-vjeçar dhe Daut Bajraktari rreth 50-vjeçar, kanë rënë nga një lartësi prej rreth tre metrash gjatë punimeve në një objekt në rrugën “Bardhyl Qaushi – Yllka Domi” në Gjakovë. Ata janë dërguar në emergjencë, ku mjekët kanë konstatuar vdekjen e tyre.
Të dyshuarve, Prokuroria Themelore në Gjakovë u ka caktuar masën e ndalimit prej 48 orësh.
“Gjakovë, 21 korrik 2025 – Prokuroria Themelore në Gjakovë njofton opinionin publik se më datë 21.07.2025 është informuar nga Policia e Kosovës për një incident tragjik të ndodhur në një vendpunim, ku si pasojë kanë humbur jetën dy (2) punëtorë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
“Menjëherë pas marrjes së informacionit, në vendin e ngjarjes kanë dalë Kryeprokurori, prokurori kujdestar, njësitet përkatëse të Policisë së Kosovës, si dhe Inspektorati i Punës. Me vendim të Prokurorit të Shtetit, trupat e pajetë janë dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML)”,vijon më tej njoftimi.
Prokuroria ka njoftuar se ndaj të dyshuarve pritet të kërkohet edhe masa e paraburgimit.