Këta janë hapat për formimin e Qeverisë së Kosovës

11 tetor 2025 | 15:10

Konstituimi i Kuvendit të Kosovës të premten i ka hapur rrugë fillimit të procedurave për formimin e Qeverisë së re. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani të shtunën mandatoi kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje për formimin e qeverisë të re, si partia e parë në zgjedhjet e 9 shkurtit.

Monitorues të punës së Kuvendit thonë se kjo duhet të ndodhë sa më shpejt, derisa sqarojnë për KosovaPress, në detaje procedurat dhe afatet ligjore për formimin e ekzekutivit të ri.

Analistë politikë kanë mëdyshje se Kurti i ka numrat për formimin e qeverisë së re, derisa paralajmërojnë shkuarjen në zgjedhje të reja.

Seanca konstituive e Kuvendit ka nisur më 15 prill dhe rreth gjashtë muaj më vonë, më 10 tetor, u kompletua Kryesia pas zgjedhjes edhe të nënkryetarit nga komuniteti serb, duke konstituar legjislaturën e nëntë.

Hulumtuesi në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), Gzim Shala, thotë për KosovaPress, se pas konstituimit të Kuvendit, tash “topi” është te presidentja Vjosa Osmani, e cila duhet ta caktojë mandatarin për formimin e qeverisë.

Sipas tij, pasi LVV-ja si partia e parë ta marrë mandatarin, i ka kohë 15 ditë për formimin e qeverisë së re.

Nëse kjo nuk ndodh, ai shton se duhet të kalohet në raundin e dytë, ku presidentja duhet të mandatojë dikë tjetër për kryeministër. Siç thekson Shala, nuk është e domosdoshme të jetë nga partia e parë në zgjedhje, por kushdo që e dëshmon se i ka 61 vota për formimin e qeverisë në Kuvend.

Në rastin e kundërt, nëse asnjëra palë s’ka vota për shumicë parlamentare, Shala deklaron se presidentja duhet ta shpërndajë Kuvendin dhe vendi të shkojë në zgjedhje të reja.

Zgjedhjet e reja të parakohshme sipas analistit politik, Albinot Maloku, janë vullnet i partive politike.

Duke u bazuar në krizën e deritanishme politike, Maloku ka mëdyshje nëse janë numrat për formimin e qeverisë së re.

Lëvizja Vetëvendosje ka pasur negociata të vazhdueshme për koalicion qeveritar me Nismën Socialdemokrate, e cila ka tre deputetë në Kuvend, për formimin e qeverisë, por pa arritur pajtueshmëri.

Ndërkaq, LVV-ja është refuzuar për koalicion nga LDK-ja.

Pas konstituimit të Kuvendit, anëtarja e Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, tha se do të vazhdojnë komunikimet edhe me deputetë të tjerë për të parë nëse kanë vullnet për të qenë pjesë e qeverisjes.

Lëvizja Vetëvendosje e ka propozuar kryetarin e saj, Albin Kurti, njëherësh kryeministër në detyrë i Kosovës, për një tjetër mandat në krye të Qeverisë. Kurti është zgjedhur me votë unanime në mbledhjen e 59-të të Këshillit të Përgjithshëm të LVV-së, të mbajtur në fillim të muajit shtator./KP/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkruan: Ahmet Jashari Një çift nga periferia, veshur me rrobat…