Këta janë katër të dyshuarit për mashtrim milionësh me prona në Prishtinë
Katër persona janë arrestuar për mashtrim dhe falsifikim dokumentesh pas një operacioni të zhvilluar në Prishtinë. Sinjali mëson nga burime të sigurta se të dyshuarit janë Muhamet Meli, Shpend Bobaj, Driton Restelica dhe Burhan Zhinipotoku. Sipas informatave ata dyshohet se kanë përdorur dokumente të falsifikuara, përfshirë pasaportën e Serbisë, dhe kanë prezantuar një person të rremë si pronar të vërtetë, për të shitur pronën e ankuesit M.T. me sipërfaqe prej 36.28 ari.
Në këtë mënyrë, ata dyshohet se kanë mashtruar blerësin H.M., duke marrë një shumë totale prej 1,578,180 eurosh. Me urdhër të prokurorit, janë kryer kontrolle në pesë lokacione, ku janë sekuestruar 9 mijë euro si prova për procedurat e mëtejshme. Të dyshuarit përballen me akuza për “mashtrim” (neni 323 i KPRK-së), “falsifikim dokumentesh” (neni 390 i KPRK-së) dhe “legalizim të përmbajtjes së rreme” (neni 395 i KPRK-së). Ata janë intervistuar në prezencë të avokatëve mbrojtës dhe janë dërguar në mbajtje prej 48 orësh.



