Këto do të jenë sanksionet e para që BE do t’i heqë Kosovës

08 qershor 2025 | 15:23

Qeveria në detyrë është në pritje të Bashkimit Evropian që, në kuadër të heqjes graduale të sanksioneve, të fillojë me funksionimin dhe mbajtjen e takimeve të nënkomiteteve të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit me Kosovën, si dhe me projektet e asistencës teknike të Kornizës Investuese për Ballkanin Perëndimor, që prekin fusha si energjia, infrastruktura e të tjera.

Një gjë të tillë e konfirmojnë edhe nga vetë Unioni Evropian për KosovaPress, por theksojnë se hapat e mëtejshëm për heqjen e plotë të masave do të varen, sipas tyre, nga një de-përshkallëzim i qëndrueshëm në veri të vendit.

Heqja graduale e masave është një lajm i mirë për Klisman Kadiun, këshilltar i zëvendëskryeministrit në detyrë, Besnik Bislimi, i cili tregon se cilat do të jenë masat e para që do të hiqen. Megjithatë, ai shton se ato duhet të hiqen plotësisht sa më parë, pasi janë vendosur padrejtësisht.

BE-ja vendosi masa ndëshkuese ndaj Kosovës në vitin 2023, pas rritjes së tensioneve në veri të vendit.

“Masat ndaj Kosovës u vendosën padrejtësisht në fund të qershorit të para dy viteve. Ka pothuajse një vit që kemi gjithashtu një rekomandim nga ish-Përfaqësuesi i Lartë, Josep Borrell, për heqjen e tyre. Është një lajm i mirë, edhe pse i vonuar, që Bashkimi Evropian ka filluar heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës. Siç është komunikuar edhe nga Përfaqësuesja e Lartë, Kaja Kallas, ato po hiqen në mënyrë graduale. Nga ana jonë, ritheksojmë se masat duhet të hiqen sa më parë dhe plotësisht. Në kuadër të këtij procesi, BE-ja do të fillojë së shpejti me funksionimin dhe mbajtjen e takimeve të nënkomiteteve të MSA-së me Kosovën, si dhe me projektet e asistencës teknike të Kornizës Investuese për Ballkanin Perëndimor, që përfshijnë fusha si energjia, infrastruktura e të tjera”, thuhet në përgjigjen me shkrim të tij për KosovaPress.

Ndërkohë, zëdhënësja e Bashkimit Evropian, Anitta Hipper, deklaron për KosovaPress se Komisioni Evropian ka ndërmarrë hapat e parë drejt heqjes së disa masave.

Ajo deklaron se hapat e mëtejshëm për heqjen e plotë të masave do të varen nga përparimi në terren në përputhje me pritshmëritë e BE-së për situatën në veri.

“Në dhjetor 2024, Këshilli deklaroi se BE-ja do të heqë gradualisht masat, paralelisht me hapat e mëtejshëm të Kosovës për uljen e tensioneve në veri. Në këtë drejtim, Komisioni ka ndërmarrë tashmë hapat e parë drejt heqjes së disa prej masave. Hapat e ardhshëm varen nga përparimi në terren dhe janë të kushtëzuar me një de-përshkallëzim të qëndrueshëm në veri”, thekson ajo.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Transmetuesi shtetëror i Iranit, IRIB ka raportuar për atë që…