
Këto janë parcelat që Qeveria në detyrë planifikon t’i shpronësojë për ndërtimin e urës mbi Ibër
Qeveria në detyrë e udhëhequr nga Albin Kurti ka miratuar të premten vendimin për shqyrtim të mëtejmë të kërkesës për shpronësim të disa parcelave për të mundësuar ndërtimin e urës mbi lumin Ibër, që lidh Mitrovicën Veriore dhe Jugore. Sipas vendimit, planifikohet të shpronësohen gjithsej 11 parcela, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Vlera e kompensimit të pronave i është lënë në dorë Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve.
“Mjetet financiare për pagesën e shpronësimit dhe obligimeve tjera që mund të rrjedhin si rezultat i procesit të shpronësimit do të sigurohen nga buxheti i Qeverisë së Republikës së Kosovës, në Departamentin e Shpronësimit (Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës”, thuhet në vendim.
Pronarë të parcelave që do të shpronësohen janë: P.SH TE MIRAT E UJRAVE, Komuna e Mitrovicës Veriore, Naim Jashari, Zika Miftari dhe Ahmet Atiq.
Nga Komuna e Mitrovicës Verirore do të shpronësohen katër parcela, nga Miftari dy dhe nga Atiq dy.
Qeveria në detyrë ka thënë se do të mbajë një dëgjim publik lidhur me shpronësimin e propozuar për Zonat Kadastrale: Mitrovicë e Veriut , Komuna Mitrovicë e Veriut.