KF Ramiz Sadiku – model suksesi dhe krenari e futbollit kosovar

07 shkurt 2026 | 22:12

Klubi i Futbollit Ramiz Sadiku, që garon në Ligën e Parë të futbollit kosovar, po vazhdon të dëshmohet si një nga surprizat më të bukura dhe më të qëndrueshme të futbollit vendor. Për të dytin vit radhazi, klubi renditet në pjesën e epërme të tabelës, duke treguar stabilitet, organizim dhe rezultate mbresëlënëse në fushë.

Edhe pse këtë sezon hyri i hendikepuar, pas largimit të disa lojtarëve kryesorë drejt klubeve të Superligës, Ramiz Sadiku dëshmoi forcën e tij reale. Falë punës së palodhshme të trajnerëve dhe stafit teknik, mungesat u mbuluan me sukses nga talentët e dalë nga akademia e klubit, pa ndikuar në cilësinë e lojës dhe rezultatet sportive.

Klubi njihet si një nga klubet me akademinë më të fuqishme në Kosovë, prej nga vit pas viti dalin futbollistë që mbajnë fanellën e Kombëtares së Kosovës dhe që vazhdojnë karrierën në ligat më të forta evropiane. Kjo e bën Ramiz Sadikun një adresë të rëndësishme për zhvillimin e talenteve të rinj.

Në krye të menaxhimit sportiv qëndron drejtori i përgjithshëm, Agron Mecinaj, i cili ka ndërtuar një staf profesional dhe të përkushtuar, duke menaxhuar me sukses një klub me numër të madh anëtarësh. Sipas tij, bashkëpunimi i ngushtë me trajnerët dhe drejtuesit ka qenë çelësi i funksionimit efikas të klubit.

“Klubi ka një staf të gjerë trajnerësh, koordinatorësh dhe personel administrativ. Pas investimeve të Ministrisë në infrastrukturën sportive, interesimi i fëmijëve është rritur ndjeshëm. Sot kemi mbi 500 fëmijë të regjistruar në shkollën e futbollit, ndërsa trajnerët tanë janë të nivelit shumë të lartë”, theksoi Mecinaj.

Ndryshe nga shumë klube të tjera në Kosovë që përballen me vështirësi financiare, KF Ramiz Sadiku gëzon stabilitet financiar, gjë që i mundëson të planifikojë dhe të zhvillohet pa pengesa.

Sa i përket ekipit të parë, klubi synon edhe këtë sezon të mbetet në pjesën e sipërme të tabelës së Ligës së Parë, duke vazhduar rrugën e suksesit dhe, pse jo, edhe ngritjen në Superligën e Kosovës – synim ky primar dhe objektiv kryesor.

Së fundmi, Komuna e Prishtinës ka nisur ndërtimin e tribunave për tifozë në stadiumin e klubit. Shpresohet që të vazhdohet edhe me ndërtimin e tribunës jugore, por edhe që FFK-ja të bashkëinvestojë me klubin. Ky investim jo vetëm që rrit standardet e klubit, por i jep edhe një pamje më dinjitoze hyrjes së kryeqytetit, pasi stadiumi ndodhet në hyrje të Prishtinës./Epoka e re/.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kreu i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka shprehur ngushëllime…