
KFOR-i bëhet me komandant të ri
Sot në Kamp Film City në Prishtinë, do të mbahet ceremonia e ndërrimit të Komandës në Shtabin e KFOR-it. Gjeneralmajori i Ushtrisë Italiane, Enrico Barduani, do t’i dorëzojë komandën e KFOR-it gjeneralmajorit të Ushtrisë Turke, Özkan Ulutas.
Ndryshe dje në selinë e KFOR-it, në Kampin Film City (Prishtinë), u mbajt inaugurimi simbolik i stemës dhe ngritja e flamurit të KFOR-it, për të shënuar vazhdimësinë e misionit të udhëhequr nga NATO në Kosovë.
Kjo është një traditë e hershme në historinë e KFOR-it. Ajo paraqet kalimin pa ndërprerje ndërmjet dy komandantëve të KFOR-it dhe dëshmon përkushtimin dhe lidershipin e komandantit që përfundon mandatin, si dhe gatishmërinë e komandantit të ri për të marrë përgjegjësitë e reja. Po ashtu, kjo simbolizon trashëgiminë e KFOR-it dhe përkushtimin e palëkundur për të vazhduar kontributin në siguri afatgjatë në Kosovë dhe stabilitet rajonal, në dobi të të gjitha komuniteteve.
Ngjarja u zhvillua në sheshin Sir Michael Jackson – së fundmi i emëruar me emrin e komandantit të parë të KFOR-it.
Gjeneral Major Enrico Barduani, dhe Gjeneral Major Özkan Ulutaş, kryesuan ceremoninë.
KFOR është misioni më i gjatë i NATO-s dhe aktualisht më i madhi në historinë e Aleancës Atlantike.
Ai mbetet plotësisht i përkushtuar për të ruajtur një mjedis të sigurt dhe të qetë për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë dhe për të siguruar lirinë e lëvizjes, në përputhje me mandatin e tij afatgjatë, të bazuar në Rezolutën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999, si dhe në koordinim me Policinë e Kosovës dhe misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit në Kosovë, në rolet e tyre përkatëse si përgjegjës për sigurinë.