
KFOR-i dhe Zyra e BE-së, me memorandum bashkëpunimi për situata emergjente
Komandanti i misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë (KFOR), gjeneralmajor Enrico Barduani, dhe shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë (EUOK) dhe Përfaqësuesi Special i BE-së, Aivo Orav, kanë nënshkruar sot një Memorandum Mirëkuptimi.
Siç njofton misioni paqeruajtës përmes rrjeteve sociale, ky memorandum parasheh rregullat e mbështetjes dhe asistencës nga KFOR-i në rast të zhvendosjes ose evakuimit gjatë situatave kritike.
“Me këtë marrëveshje, KFOR dhe EUOK formalizojnë procedurat që forcojnë besimin e ndërsjellë, qartësojnë rolet dhe përmirësojnë koordinimin, duke mundësuar reagim më efikas dhe të bashkërenduar brenda mandateve të tyre përkatëse”, u tha në njoftim.
Sipas KFOR-it, nënshkrimi i memorandumit dëshmon përkushtimin e aktorëve ushtarakë dhe civilë për të punuar së bashku në mënyrë proaktive, “duke forcuar gatishmërinë, stabilitetin dhe sigurinë në rrethana sfiduese në terren”.