KFOR-i gjerman i dhuron Kosovës pajisje në vlerë prej 1.8 milion euro

18 dhjetor 2018 | 13:00

Pas shndërrimit të kampit të KFOR-it gjerman në Prizren në Park Kosovar-Gjerman Inovativ dhe Trajnues, KFOR-i gjerman nëpërmjet Ministrisë së Financave i ka dhuruar Kosovës pajisje në vlerë prej 1.8 milionë euro.

Gjatë një vizite në Ministrinë e Financave, përfaqësuesit e KFOR-it gjerman në Kosovë kanë theksuar përkushtimin e tyre për mbështetjen e institucioneve të Kosovës përmes projekteve të ngjashme siç është projekti i Parkut Inovativ dhe Trajnues.

Për më tepër, ata kanë falënderuar Ministrinë e Financave për përkushtimin në realizimin me sukses të projekteve me mbështetje të Qeverisë gjermane.

Në anën tjetër, ministri i Financave, Bedri Hamza, ka theksuar se bashkëpunimi me Qeverinë gjermane është dëshmi e një bashkëpunimi me sukses në fusha të ndryshme me partner serioz siç është Qeveria gjermane.

Jetësimi i projektit të Parkut Inovativ dhe Trajnues është një mundësi e jashtëzakonshme për qytetarët e Kosovës dhe institucionet e vendit, përmes të cilit pritet të realizohen projekte tejet me rëndësi.

Vlen të theksohet se nga ky park në të ardhmen pritet të përfitojnë edhe vendet e rajonit. Dhurimi i pajisjeve nga KFOR-i gjerman mundëson që Parku Inovativ dhe Trajnues të fillojë funksionin e tij shumë shpejtë.

Në fillim të këtij viti, Qeveria e Kosovës dhe Qeveria gjermane patën iniciuar diskutimet mbi të ardhmen e kampit fushor të KFOR-it Gjerman në Prizren, pas largimit të trupave ushtarake nga kampi.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sulmuesi Mario Balotelli në afatin kalimtar të janarit mund të…